Sot në Maqedoni shqiptarët shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, i cili u unifikua 108 vjet më parë në Kongresin e Manastirit. Kjo festë është paralajmëruar të jetë tradicionale dhe sa më shumë të marrë jehonë në mbarë trevat shqiptare.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.
Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir mbrëmë ishte cak i sulmeve vandale me ç’rast janë thyer xhamat e godinës si dhe janë shënuar mbishkrime nacionaliste në mure si, “vdekje për shqiptarët”.
Autoritet policore kanë informuar shkurt se janë duke hetuar rastin pa dhënë detaje rreth aktorëve të mundshëm të veprimeve të tilla vandale.
Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir disa herë ka qenë cak i sulmeve vandale nga persona të panjohur të cilët kanë fshirë dhe mbishkrimin në tabelën ku shkruhet se – “këtu ndodhet muzeu i alfabetit”.
Përveç sulmeve, objekti i muzeut ndodhet në një gjendje aspak të mirë. Nga Ministria e Kulturës thonë se në vazhdimësi janë ndarë mjete për këtë institucion.