Koha Javore me pamje më joshëse për lexuesin e vet

koha-editorial-702x336Me nismën e Këshillit Programor të gazetës “Koha Javore” dhe me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, kjo gazetë fal dizajnit të ri, redaktimit teknik dhe larushisë tematike merr një pamje më bashkëkohore dhe më joshëse si për lexuesin tradicional ashtu edhe për lexuesin e ri

Në prag të jubileut të rëndësishëm, 15 vjetorit të gazetës “Koha Javore”, kjo medie e shkruar po shënon misionin e vet informativ jo vetëm brenda komunitetit shqiptar në Mal të Zi, por edhe më gjerë. Pas publikimit në internet, faqja e së cilës po ndiqet nga lexues të shumtë nëpër botë, ky numër i “Kohës Javore” shfaqet sot para lexuesit me një cilësi dhe sasi më të plotësuar, duke e renditur këtë gazetë ndër mediat më serioze në hapësirën mbarëshqiptare.
Me nismën e Këshillit Programor të gazetës “Koha Javore” dhe me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, kjo gazetë falë dizajnit të ri, redaktimit teknik dhe larushisë tematike merr një pamje më bashkëkohore dhe më joshëse si për lexuesin tradicional ashtu edhe për lexuesin e ri.

Të ekspozuar përballë mediave sociale dhe lajmeve senzacionale dhe të gjendur karshi komercializimit të skajshëm të mediave për ta rritur domosdoshmërish audiencën, mediat serioze, posaçërisht mediat e shkruara ku bën pjesë edhe “Koha javore”, duhet të mbesin frymëzuese në rolin e vet edukativ në raport me shoqërinë e sotme.
Koha Javore u themelua nga Parlamenti i Malit të Zi në dhjetor të vitit 1999 dhe i njëjti emëroi Këshillin Programor, kurse botimi i saj nisi në shkurt të vitit 2002. Në veprimtarinë e saj 14 vjeçare “Koha Javore” ka luajtur një rol të rëndësishëm për lexuesin shqiptar. Gjatë këtyre viteve janë botuar 741 numra të gazetës, që paraqet një pasuri të madhe arkivore për jetën dhe veprimtarinë e shqiptarëve në Mal të Zi.

Kjo gazetë pati probleme të theksuara për shkak të mos financimit dhe mos mbështetjes nga institucionet përkatëse të Malit të Zi. Pas ndërhyrjes dhe trysnive të faktorit ndërkombëtar u formua Grupi punues i Parlamentit , i cili gjeti një zgjidhje të qëndrueshme në financimin e gazetës së vetme në gjuhën shqipe “Koha Javore” me menaxhimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.

Ky vendim i dha një frymim të ri “Kohës Javore” duke mbetur një zë i rëndësishëm mediatik dhe një burim informimi të lirë për shqiptarët në Mal të Zi.

EDITORIAL I REDAKSISË