Përfaqësuesit e Koalicionit “Shqiptarët të vendosur” (Forca-UDSH-ASH) kanë arritur marrëveshjen me DPS-në për hyrje në Qeveri.
Jo-zyrtarisht mësojmë se koalicioni shqiptar në negociata me DPS-në si qëllim kryesorë ka pasur përcaktimin e afateve të kërkesave të tyre, në mënyrë që realizimi i tyre mos të zvarritet.
Dy kërkesat kryesore të koalicionit shqiptar ishin statusi i Komunës së Malësisë-Tuzit dhe kthimi i ullishtës së Valdanosit ish pronarëve në Ulqin.
Këto dy kërkesa janë pranuar nga ana e DPS-së, dhe si afat për realizim është caktuar viti 2017, gjegjësisht 2018.
Zhvillimi i referendumit për statusin e Komunës së Tuzit-Malësisë është caktuar për vitin 2017, kurse vendimi për komunë të plotë një vit më pas.
Gjithashtu është dakorduar që ministër i pakicave dhe të drejtave të njeriut të jetë lideri i UDSH-së Mehmet Zenka.
Sipas kësaj marrëveshje Koalicionit shqiptar do t’i takojnë edhe poste të zëvendësministrave në disa ministri.
Bartësi i listës i Koalicionit “Shqiptarët të vendosur” Genci Nimanbegu më parë kishte deklaruar se marrëveshjet me DPS-në në të kaluarën nuk janë respektuar, andaj nuk do të nënshkruajnë asnjë marrëveshje pa praninë e faktorit ndërkombëtar i cili do të jetë garancë për zbatimin e marrëveshjes. /MALESIA.ORG/
