Sot në Podgoricë u be nënshkrimi në mes të partive nacionale me DPS-në për formimin e Qeverisë së re.
Marrëveshja e parë u nënshkrua në mes të partive nacionale; Koalicionit “Shqiptarët të vendosur” (Forca-UDSH-ASH), Partisë boshnjake dhe Iniciativës qytetare kroate, dhe më pas u nënshkrua marrëveshja në mes partive nacionale me DPS-në.
Në parim ata kanë nënshkruar pikat më kryesore të cilat kanë të bejne me zhvillimin, ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave te përbashkëta si pakica.
Në emër të Koalicionit “Shqiptarët të vendosur” marrëveshjen e kanë nënshkruar liderët e tre subjekteve, për Forcën Nazif Cungu, për UDSH-në Mehmet Zenka dhe për ASH-në Gjergj Camaj. Poashtu në emër të Partisë boshnjake marrëveshjen e ka nënshkruar kryetari Rafet Husovic, kurse në emër të Iniciativës qytetare kroate Kryetarja Marija Vucinovic.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së partive nacionale, pasoi edhe nënshkrimi i perbashket i subjekteve të cilat do të formojnë qeverinë e ardhshme: DPS-ja e cila ne kuvend numëron 36 mandate, Partia Socialdemokrate me 2 mandate, Partia boshnjake me 2 mandate, si dhe Koalicioni “Shqiptaret te vendosur” dhe Iniciativa qytetare kroate me nga një mandat.
Koalicioni “Shqiptaret te vendosur” në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar në qeveri do të përfaqësoje Ministrinë për të drejtat e njeriut dhe të popujve pakicë.
Koalicioni do të ketë hapësire kuadrovike në pushtetin e ardhshëm në masën prej 3,5 %.
Sa u përket kërkesave për të cilat janë dakorduar Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” dhe DPS-ja, duhet të veçohet afatizimi i Vendimit që Komuna e Tuzit të fitojë statusin e plotë, pastaj Kthimi i pronës së Ullishtës së Valdanosit, Kriporja të shpallet zonë e mbrojtur dhe të behet prodhimi i kripës, Plani Hapësinorë Urbanistik i Komunës së Ulqinit të punohet sipas kërkesave të Komunës së Ulqinit, Buna të ketë ndryshime në zonën e të Mirave detare, ku parashihet që vetëm gryka e Bunës të jetë në kompetenca të Mirave detare, pastaj ndryshimi i ligjit mbi të Mirat detare, ndryshimi i ligjit për prishjen e rëndit dhe qetësisë, përdorimi i lirë i simboleve nacionale, rishqyrtimi i Kontratave të privatizimeve në ekonominë e turizmit dhe disa çështje tjera.
Në të kaluarën DPS-ja nuk i ka respektuar marrëveshjet me subjektet politike shqiptare, ndërkaq shohim se si do të përfundojnë kësaj radhe.
Edhe bartësi i listës i Koalicionit “Shqiptarët të vendosur” Genci Nimanbegu gjatë fushatës parazgjedhore kishte deklaruar se nuk iu beson më marrëveshjeve me DPS-në, andaj kishte deklaruar se nuk do të bëjë asnjë marrëveshje pa praninë e palës ndërkombëtare si garancë për respektimin e marrëveshjes. /MALESIA.ORG/