Shoqata “Malësia e Madhe” në New York organizoi tubim me biznesmenët malësorë

NDIHMOHET VENDLINDJA
*Si gjithmonë edhe kësaj here erdhi në shprehje solidariteti vëllazëror. Kërkohen mënyrat dhe format më të mira për ta ndihmuar vendlindjen. Gjithsejtë u dhanë 32, 000. 00 dollarë.
Aksioni vazhdon.
Disa dhjetëra biznesmenë, por edhe mërgimtarë të tjerë, morën pjesë në tubimin që të dielën e kaluar e organizoi Shoqata “Malësi e Madhe” me seli në New York. Qëllimi i këtij tubimi ishte takimi me biznesmenët malësorë në shtetin e New York-ut dhe shkëmbimi i mendimeve lidhur me mënyrën sa më të mirë për ta ndihmuar vendlindjen, ashtu siç kanë vepruar mërgimtarët malësorë çdo herë kur e ka lypë nevoja prej ardhjes së tyre në SHBA.
Tubimin e hapi kryetari i Shoqatës, zotëri Ejllo Berishaj, i cili pasi i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për gjithë kontributin e tyre që kanë dhënë vite me radhë, foli shkurtimisht për historikun e kësaj shoqate, duke theksuar se: “Shoqata ‘Malesia e Madhe’ e New York-ut është formua para gati dy vjetësh me bashkimin e dy shoqatave, me histori mbi 20- vjeçare: Fondi Humanitare “Malesia” dhe Shoqata ‘Dedë Gjon Luli’. Këtë unifikim të dy shoqatave komuniteti malësor këtu ne New York e ka pritur shumë mirë dhe këtë e vërteton edhe vet fakti se shoqata jonë sot numëron mbi njëqind anëtarë të rregullt. Puna dhe veprimtaria e kësaj shoqate në të vërtetë është vazhdimësi e punës dhe veprimtarisë së dy shoqatave të përmendura. Prej fillimi te formimit te kësaj shoqate kemi arritur të realizojmë shumë aktivitete të rëndësishme, si ato që kanë të bëjnë me rritjen e fondeve të nevojshme për banorët e Malësisë. Por qëllim kryesor kjo shoqatë ka arsimimin dhe edukimin e rinisë sonë në Malësi”, tha Berishaj dhe shtoi se gjatë kësaj periudhe, por edhe më parë, shoqata, gjegjeshit shoqatat, me kontributin e pakursyer të mërgimtarëve malësorë, kanë ndihmuar në ndërtimin e objekteve të infrastrukturës, kanë ndarë me qindra bursa studentëve malësorë që kanë studiuar ose vazhdojnë të studiojnë në qendrat universitare, kryesisht në Kosovë dhe në Shqipëri, kanë sponsorizuar ndërtimin e Përmendores se Dedë Gjon Lulit në Tiranë, ndërtimin e Funeralit “Malësia” në Vuksanlekaj, shënimin e njëqindvjetorit të Kryengritjes së Malësisë, disa tubime shkencore dhe manifestime kulturore, kanë ndihmuar të varfrit dhe nevojtarët dhe kanë kryer shumë aktivitete tjera. Ai njëkohësisht kërkoi nga të pranishmit që të marrin pjesë në diskutim dhe të kontribuojnë me propozimet e tyre për gjetjen e formave dhe mënyrave më të mira për të ndihmuar Malësinë, e cila, siç u shpreh ai, është në gjendjetepër të rëndë, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe ai politik. Andaj duhet të ndihmojmë sa të jetë e mundur që të ndërpritet emigrimi i mëtejmë i të rinjve, në radhë të parë të atyre të shkolluar, të cilëve, në pamundësi që të punësohen, nuk u mbetet tjetër, por t’ia mësyjnë Amerikës dhe vendeve tjera të Perëndimit për të siguruar një kafshatë bukë për veten dhe familjen.
Duke marrë pjesë në debat, ish gazetari i “Zërit të Amerikës”, Gjekë Gjonlekaj posaçërisht potencoi problemin e ndryshimit të madh dhe të shpejtë të strukturës nacionale të Malësisë me ngritjen e një qyteti të ri afër Tuzit me banorë boshnjakë, siç e quajnë veten, që kanë gjuhë dhe kulturë krejt tjetër nga ne shqiptarët. Ai tha se shoqata dhe faktorët tjerë duhet ta senzibilizojnë dhe ta njoftojnë faktorin ndërkombëtar me këtë problem serioz, sepse me Kartën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ndalohet ndërrimi në çfarëdo mënyre i strukturës nacionale të mjediseve kompakte autoktone nacionale. Edhe pjesëmarrësit e tjerë në diskutim e potencuan këtë problem, si dhe nevojën e kërkimit të formave të reja të ndihmave. Një ndër më të preferuarat do të ishte investimi në ndonjë repart prodhues, nga i cili do të përfitonin banorët e Malësisë si dhe investitorët, por edhe do të zinte punë një numër i konsiderueshëm i të rinjve. Është përmendur shumë herë si shembull fabrika për konservimin e perimeve, meqë Malësia është vend i njohur për prodhime bujqësore. Një fabrikë e tillë do ta intensifikonte edhe më tepër atë. U dëgjuan edhe propozime tjera të dobishme, realizimi i të cilave do të ishte i mirëseardhur dhe në interes të malësorëve dhe të Malësisë.
Derisa vazhdonte debati i pjesëmarrësve të tubimit, biznesmenë dhe disa persona që merren me veprimtari tjera, dhanë sasi të konsiderueshme mjetesh, prej 100 deri në 5000 dollarë, që gjithsejtë u grumbulluan 32, 300. 00 dollarë (Shih tabelën në fund të këtij raporti).
Edhe disa biznesmenë, që ishin të penguar të merrnin pjesë në këtë tubim, njoftuan se kontributi i tyre nuk do të mungojë, kështu që aksioni do të vazhdojë edhe më tutje. Për gjithë këtë, në emër të shoqatës, të gjithë i falënderoi kryetari i saj, z. Ejllo Berishaj. Një falënderim të veçantë meritojnë vëllezërit Berishaj (të bijtë e Martin Nikollë Berishajt) që erdhën enkas për këtë qëllim nga Miçigani dhe kontribuuan me 5,000.00 dollarë, si dhe pronari i Restorantit “Ciaos “, z. Zef Gjelaj, i cili përveç kontributit në të holla, si edhe shumë herë deri më tani, shtroi darkë falas për të gjithë të pranishmit e këtij tubimi.

Fran Camaj