Rrënohet përsëri gardhi rrethues i truallit në Vuksanlekaj

Tuz – Malësi ( 28.01.2017) – Rreth orës 5-6 të mëngjesit të sotëm, pa zbardhur dita,  punonjësit e inspeksionit komunal për ndërtim kanë rrënuar përsëri gardhin rrethues në truallin e vëllazërisë Vuksanlekaj, të cilët  e kishin ndërtuar përsëri një muaj më parë këtë gardh rrethues, pasi që vitin e kaluar po të njëjtit Punonjës të inspeksionit komunal për ndërtim kishin rrëzuar të gjitha shtyllat të cilat i kishin punuar vëllazëria e Vuksanlekajve me qëllim për të rrethuar truallin e tyre. Ata sot herët në mëngjes, para agimit përsëri e rrëzuan këtë gardh rrethues.

Jozyrtarisht mësojmë se ky aksion u krye në mes orës 5 dhe 6 të mengjesit, ndërsa, gjithnjë sipas informatave jozyrtare, ky aksion ishte i shoqëruar nga një numër i madh i forcave policore të cilët e kanë rrafshuar komplet gardhin në Vuksanlekaj.

Vitin e kaluar Kryetari i Komunës urbane të Tuzit Abedin Axhoviq në lidhje me këtë ngjarje kishte deklaruar se Komuna urbane e Tuzit nuk ka kompetenca të veprimit për këtë çështje, gjegjësisht nuk është kompetente që të përcaktojë a është një objekt gjegjësisht një rrethim jolegal i ndërtuar.

Ndërsa Këshillëtari  i Lidhjes Demokratike në Kuvendin e Komunës Urbane të Tuzit Nikollë Camaj në lidhje me këtë ngjarje kishte deklaruar se Shteti u vë në shërbim të një, apo disa kriminelëve, grabitësve, me lidhje klanore, farefisnore, apo koruptive, në regji të pushtetit.

Po ashtu edhe Kryetari i Alternativës Shqiptare, Gjergj Camaj, për këtë ngjarje kishte deklaruar se organet shtetërore në mënyrë aspak të hijshme kanë bërë veprime në kundërshtim me ligjin dhe me të gjitha normat shoqërore duke prishur gardhin rrethues të pronës së vëllazërisë Vuksanlekaj.

Është e çuditshme që edhe pas kësaj ngjarje DPS, fitoi me të madhe në Malësi e një pjesë të mirë të votave edhe në Vuksanlekaj. Kështu që mund të konstatojmë se fajtor jemi ne që edhe pse na rrahin, torturojnë e rrenojnë, një pjesë dermuese përsëri i votojnë e disa nga ata i përkrahin dhe formojnë Qeveri të përbashkët me po të njëjtin pushtet.

Por, besojmë se ngjarjet e këtilla një ditë na i hapin sytë!

A.Camaj