TV Boin është Televizioni i vetëm i pavarur në gjuhën shqipe në Mal të Zi, i themeluar 15 vite më parë, nga i ndjeri Tomë Bojaj. Qellimi kryesor i veprimtarisë së këtij televizioni ka qenë dhe mbetet ruajtja dhe avancimi i të drejtave kolektive e individuale të pakicave, me theks të veçantë të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, si pakicë e vetme me gjuhë, tradita dhe kulturë krejt të ndryshme nga gjuha, kultura dhe traditat e popujve të tjerë në Mal të Zi.
Nga kjo del si e pritur, madje obligative, nga këndvështrimi ligjor, që ky medium edhe të përkrahet. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur e as nuk po ndodhë, iu qasa këtij vështrimi për të hulumtuar dhe për të gjetur arsyet pse ky medium nuk po ndihmohet, pse ndaj informimit në gjuhën shqipe nuk respektohen ligjet. Duke vlerësuar rëndësinë që ka ky medium për popullatën tonë në Malësi, duhet potencuar vështirësitë me të cilat ballafaqohet ky medium.
Duke i vërejtur mangësit e programit që do duhej të ishin në këtë TV, emisionet që do të duhej të ishin, por edhe ato që ishin dikur e nuk egzistojnë më, sigurisht për shkak të kushteve të vështira financiare, çka pati si pasojë zvogëlimin e numrit të të punësuarve, që dikur numëronte më shumë se tani, unë fillova të interesohem më shumë për fatin që ka dhe që e pret këtë televizon shqiptar.
Për të kompletuar vështrimin konsultova ligjet adekuate dhe kontaktova përsona relevant. Së pari kontaktova udheheqësen e këtij Televizionit zonjën Sandra Bojaj, e cila me tha se këtë medium e mbështet kryesisht Diaspora shqiptare. Viteve të fundit, 1 herë, eventualisht dy herë në vit, përmes projekteve që i bën ky medium te Fondi për Pakica, fitohet një përkrahje, por me një shumë që nuk i plotëson as për afër nevojat. Ajo sqaron se ky medium mbijeton në kushte shumë të vështira financiare.
Bojaj, sqaron se vite me radhë ka konkuruar me projekte në Komunën Urbane të Tuzit, por pa sukses, pasiqë secilën herë e kanë refuzuar kërkesën e saj për mbështetje. Siç sqaron Bojaj, ajo u është drejtuar për ndihmë, për zgjidhjen e kësaj çështje, politikanëve të shumtë, duke filluar nga Kryetarët e Komunave, Deputetëve, institucioneve përkatëse, Ministrave në Ministrinë e Popujve Pakicë, etj, por pa sukses.
Është e çuditshme që edhe përkundër faktit se në periudhat e kaluara por edhe tani kishte deputetë të shumtë shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, kryetarë komunash, ministra etj dhe asnjë deri me tani nuk u angazhuan për fatin, apo zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Duke përcjellur veprimtarinë e këtij Televizioni kam vërejtur se Komuna Urbane e Tuzit nuk e përkrah as në projektet e veta, respektivisht as programet me të cilat promovohet veprimtaria në komunë. TV Boin përcjell çdo seancë të Kuvendit të kësaj Komune që nga viti 2006, por edhe të gjitha aktivitet e tyre në përgjithësi, pa kompenzim. Të vetmit që kërkuan publikisht në seancën e kaluar, që ky medium të përkahet nga Komuna ishin këshillëtari i Lidhjes Demokratike, Nikollë Camaj, ky edhe më parë, dhe Këshillëtarja e ASH-së, Tina Lulgjuraj. Mbas kërkesës që erdhi nga këshilltarët opozitarë, në një farë mënyre iu bashkangjit edhe këshilltari i DPS, Nikollë Gegaj, por këtë nuk mund ta marr si kërkesë serioze, pasi që partia e tij udheheq pushtetin në Tuz, e mu kjo parti, së bashku me aleatet e vet Unionin Demokratik të Shqiptarëve dhe Partinë Boshnjake, që përbejnë pushtetin në këtë komunë, do mundë ta përkrahin, mirëpo mu ata hellin poshtë çdo projekt, apo kërkesë të deritashme, që u erdhi nga ky medium.
Lind pyetja perse Tv Boin nuk përkrahet nga shumica në KU të Tuzit ? A thua për arsye se atyre më shumë u pengon Tv Boin që të jenë pjesmarres në Seanca të Kuvendit, se të jenë prezent apo ajo se u pengon çdo gjë shqiptare në këtë vend, apo cila do të jenë enigma e vërtetë për këtë?
Sipas informatave jozyrtare, por edhe të disa të dhënave të sigurta në bazë të dokumentacionit Komuna e Ulqinit e mbështet financiarisht Televizionin Teuta, por edhe mediat tjera, përmes projekteve vjetore. Sipas informatave zyrtare Komuna e Ulqinit në Buxhetin vjetor planifikon mbi 29 mijë eura për medie. Po ashtu, sipas informatave jo zyrtare, kjo komunë ka kontratë me Tv Teuten për përcjellje të seancave të Kuvendit, me pagesë.
Se Komuna e Ulqinit ndihmon mjetet e informimit mund të vërtetohet edhe me darjen e mjeteve financiare për projektet e organizatave joqeveritare, në Konkursin për vitin 2016, ku me numër 9 dhe 11 janë organizatat që administrojnë portalet Ul Info dhe Promul apo Ulqini Online.
Prandaj, nëse i kemi para syshë këto fakte, është e natyrshme të na imponohet pyetja pse Komuna urbane e Tuzit nuk e përkrah të vetmin medium lokal në hapësirën e vet, edhe pse dihet se Tv Boin tërë veprimtarinë e vet informative e zhvillon në pajtim të plotë me ligjet vendore, me Kushtetutën e shtetit dhe me konventat ndërkombëtare. E theksojmë se të drejtat e pakicave, ku hyn edhe e drejta në informim, garanton edhe Kushtetuta e Malit Zi. Në nenin 6, përveç tjerash, thuhet: “Mali i Zi i garanton dhe mbron të drejtat dhe liritë e pakicave“. Pastaj neni 8 i Kushtetutës ndalon diskriminimin i çfarëdo lloji. Këtë në të vërtetë e parashohin edhe normat e konventave ndërkombëtare – neni 14 protokolli 12 n. 1 dhe protokolli 7 n. 5 . Me nenin 9 të Kushtetutës parashihet se konventat ndërkombëtare pranohen dhe bile kanë përparësi ndaj ligjeve vendore, çka do të thot se nëse ligjet vendore janë në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, atëherë aplikohen të dytat.
Për këtë çështje kërkova mendimin e avokati Dr.Angjell Gojçaj i cili për portalin tonë shprehet: Sipas ligjit mbi mediat Qeveria respektivisht Ministria perkatese eshte përgjegjëse për finansimin e mediave të cilat kanë për përmbajtje programet ne gjuhën shqipe (neni 3 i Ligjit lartë përmendur).
“Kushtetuta e Malit të Zi përcakton qartazi se gjuha shqipe është në përdorim zyrtar, kurse pakicave u garantohen të drejtat dhe liritë, të cilat mund të përdoren individualisht dhe në bashkësi me të tjerët, siç është, mes tjerash edhe informimi në gjuhën e shqipe. Po ashtu Ligji mbi liritë dhe të drejtat e pakicave parashikon që pakicat nacionale duhet të informohen në gjuhën amtare sipas standardeve ndërkombëtare, ku mes të tjerash thuhet se Qeveria duhet të marrë masa për të ndihmuar mediat që në programet e tyre kanë për bazë promovimin e kultures dhe indetitetit të pakicave. Edhe pse Boini është pronë private, duke marrë parasysh që nuk ekziston asnjë medium tjeter në gjuhën shqipe, në këtë mjedis, Mali Zi, respektivisht organet kompetente, janë te detyruara që te ndihmojnë TV-Boin me mjete financiare. Duhet theksuar edhe faktin që ato mjete financiare vjelen edhe nga taksa-paguasit shqiptarë, të cilat kanë të drejtë të informohen në gjuhen shqipe” shprehet Gojçaj.
Prandaj, pikërisht kjo është arsyeja kryesore që duhet të mbështetet ky medium, i cili përmes emisioneve të përditshme, kronikave, intervistave, informatave, vështrimeve, reportazheve etj, ua sqaron dhe shpjegon shtresave të gjëra këto të drejta, me qellim të ruajtjes së traditës, kulturës , gjuhës që është krejt e dalluar nga gjuhët tjera dhe mbrojtjen nga asimilimi etj. Natyrisht se kjo është në interes të shqiptarëve, por edhe në interes të shtetit ku jetojmë, sepse duke respektuar të drejtat e pakicave, shteti njëkohësisht respekton edhe të drejtat ndërkombëtare, gjë që ndihmon dhe avancon atë në proceset vijuese të integrimeve euroatlantike.
Më poshtë janë disa nga pikat kryesore të projektit të TV Boin, të cilat ia dërgoi Komunës, e që nuk u aprovuan në Buxhetin e Ku të Tuzit, për vitin 2017:
-Ruajtja e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve;
-Nxitja e shkollimit të të rinjve në gjuhen amtare (shqipe) dhe të integrimit të tyre në shoqërinë më të gjerë bashkëkohore;
-Informimi i opinionit, në gjuhën e tyre amtare (shqipe) si e drejtë e pamohueshme mbi te gjitha ngjarjet në vend dhe në botë;
-Kultivimi i dashurisë ndaj artit, muzikës, teatrit dhe krijimtarisë së përgjithshme artistike, letrare filmike etj, në gjuhën amtare (shqipe);
-Sqarimi i vlerave te integrimit evropian të Malit të Zi, që do të thotë edhe i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend.
Për gjithë këtë jam i mendimit se ky mjet i informimit meriton përkrahje më të madhe të shtetit dhe komunës. Mediet e këtilla duhet të kenë favore, në krahasim me mediumet në gjuhën e shumicës. Duhet pasur parasysh edhe faktin se si pakicë kombëtare në Mal të Zi llogaritet edhe ajo serbe, e cila ka perqindje të madhe të popullatës, prandaj edhe i thithë shumicën e mjeteve të parapara për këto qëllime, në Fondin e pakicave, edhe pse gjuha e tyre nuk dallon nga ajo zyrtare, që do të thotë se nuk është e rrezikuar, kurse ajo shqipe po rrezikohet dita-ditës.
Duhet te kemi parasysh faktin që ky Televizion nuk ka treg as përafërsisht me televizionet e tjera simotra në këtë vend, por plotëson një boshllëk të madh të informimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, sepse televizioni shtetëror ka vetëm një emision ditor lajmesh, me kohëzgjatje deri në 15 minuta dhe një emision javor informativo-muzikor prej 45 minutash, që natyrisht se as përafërsisht nuk plotësojnë nevojat e popullatës shqiptare në Mal të Zi, që marrin pjesë me më shumë se 5 për qind të popullatës.
Pra, do të ishte e nevojshme që në kuadër të Buxhetit, respektivisht Planit Finansiar të KU të Tuzit, të parashihen mjete edhe për këtë medium. Pra edhe TV Boin duhet të përkrahet nga linja e veçantë buxhetore që lidhet me një prej obligimeve statutare që ka KU e Tuzit, e që është përkujdesja për informim të qytetarëve në gjuhën e vet.
Për këtë ftoj të gjithë politikanët shqiptarë, deputet, ministra, kryetar komunash, kuvendesh, liderë të partive politike, këshilltarë, Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve, Diasporën dhe gjithë njerzit e vullnetit të mirë që të ndihmojnë realizimin e njënës prej të drejtave themelore të shqiptarëve në Mal të Zi, e që realizohet edhe përmes medies, në rastin konkret, përmes Televizionit Boin, si i vetmi medium shqip në këto treva.
Albert Camaj