Policia malazeze kërkon largimin e Flamurit nga shtëpia familjare e Xhemal Nikajt

Pushteti malazez vazhdon me shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, kërkohet largimin i Flamurit kombëtarë edhe nga prona private.

Policia malazeze dha urdhër për largimin e flamurit shqiptar nga shtëpia familjare e Xhemal Nikajt në fshatin Dinoshë të Malësisë.

Pjesëtarë të policisë kishin shkuar dje (14 qershor) tek shtëpia familjare Nikaj, dhe u kishte urdhëruar të largojnë flamurin nga kulmi i shtëpisë.

“Policia na tha se është, siç thonin ata, “urdhër nga lart” për ta larguar flamurin, të cilin e kemi aty që nga festat, dhe normalisht nuk e larguam, as nuk do ta largojmë, sepse është e drejtë jona e përdorimit të simboleve kombëtare në bazë të kushtetutës, tha për malesia.org anëtari i familjes Nikaj. 

Mali i Zi ditë me parë u bë anëtar i NATO-s dhe është kandidat për anëtarësim në BE, por shqiptarët vazhdojnë të jenë të diskriminuar, ndërkaq gjithnjë janë në fuqi Ligjet që ndalojnë përdorimin  e simboleve kombëtare, siç është Ligji për Rendin dhe Qetësin Publike. 

Kur te drejtat e shqiptarëve shkelen edhe haptas si në këtë rast, përfaqësuesit politik shqiptar të cilët edhe janë pjesë e pushtetit malazez, zakonisht e kalojnë në heshtje, ndërsa vazhdojnë e flasin për “arritjet”. 

Prandaj, ftojmë publikisht deputetin, gjegjësisht nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu njëkohësisht edhe kryetarë i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në M.Z., Ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave Mehmed Zenka dhe Sekretarin shtetërore Nik Gjeloshaj, si pjesë e këtij pushteti, të shprehin qëndrimet e tyre në lidhje me rastin e fundit ku shqiptarët nuk lejohen të shpalosin flamurin kombëtar as edhe në pronat e veta private. /MALESIA.ORG/