550 vjetori i vdekjes së kryeherojit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skendërbeu

Sot është 550 vjetori i vdekjës së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, për arsye se më 17 janar 1468 në Lezhë pushoi së rrahuri zemra e kryeherojit shqiptar, i cili u varros, me nderime të mëdha, në katedralën e ShënKollit. Kjo ditë, ishte ditë zie për shqiptarët, sepse mbeten pa udhëheqësin e tyre sypatrembur, i cili, gati për një çerek shekulli, jo vetëm se i drejtoi kundër ushtrive osmane, por edhe sa herë e herë dolën fitimtarë kundër fuqisë kryesore të kohës.

Gjergji, i biri i fisnikut Gjon Kastrioti, lindi në vitin 1405 dhe që në fëmijëri u dallua për shkathtësitë e tij. Mirëpo, që në fillim të shek. XV, principata e Kastriotëve, sikurse edhe principatat tjera shqiptare, u sulmua nga Perandoria Osmane. Ashtu që, Gjoni, pas disfatës, u detyrua të pranoi kushtet e rënda të caktuara nga osmanët. Kushte, të cilat, përpos tjerash, kishin të bënin me të bijtë e tij. Gjon Kastrioti u detyrua që Gjergjin, së bashku me djemtë tjerë, t’ia jap pengë Perandorisë Osmane. Ata u dërguan në kryeqytetin e atëhershëm të Perandorisë Osmane, në Adrianopojë. Aty, Gjergjin, menjëherë e konvertuan në besimin islam dhe, pasi që nga fuqia fizike përngjante shumë me Aleksandrin e Madh, ia dhanë emrin Iskander, që nënkupton Aleksandër. Disa kohë, do të shërbej në ushtrinë osmane dhe do të fitoj titullin beg, ashtu që e fituam emrin Iskander Beg apo në formën perëndimore Skanderbeg, ndërsa shqip Skendërbe, që do të thotë zotëria Aleksandër.

Gjergj Kastrioti – Skendërbeu me kohë priste rastin që të kthehej në atdhe, rast, i cili u paraqit me ardhjën e ushtrisë hungareze të udhëhequr nga Janjosh Huniadi. Mbas betejës që u zhvillua në afërsi të Nishit, më 3 nëntor 1443, Skendërbeu së bashku me 300 arbërorë e braktisi ushtrinë osmane dhe më 28 nëntor 1443 hyri në Krujë, ku ngriti flamurin e familjës Kastrioti. Sipas biografit kryesor, Marin Barletit, me atë rast, Skendërbeu do të mbaj një fjalim, ku u bënë të pavdekshme fjalët e tij: ,,Lirinë nuk ua sjella unë, por, atë e gjeta në mesin tuaj” dhe ,, armët nuk ua sjella unë, por u gjeta të armatosur”.

Një ndër ngjarjet më të rëndësishme sigurisht që është Besëlidhja e Lezhës. Kuvendi u mbajt në Lezhë më 2 mars 1444, ku morën pjesë: Gjergj Kastrioti-Skendërbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani etj. Në Kuvendin e Lezhës morën vendim që të krijohet një lidhje mes fisnikëve kryesorë arbërorë dhe në krye të vendoset vetë Skendërbeu, me cilin vendim u krijuan themelet për organizimin e një rezistence të fuqishme kundër armikut të rrezikshëm, Perandorisë Osmane.

Duke e ditur se osmanët nuk do t’ia falin braktisjen e ushtrisë osmane, Gjergj Kastrioti, bëri gjitha përgatitjet e duhura, në mënyrë që të përballoi sa më me sukses sulmet e armikut. Beteja e parë do të zhvillohet më 29 qershor 1444 tek vendi i quajtur Torvioll. Në këtë betejë, si edhe në shumë beteja tjera, që do të zhvillohen gjatë viteve, arbëroret e udhëhequr nga Gjergj Kastrioti- Skendërbeu, do të korrin fitore të shkëlqyer. Arbërorët do të vazhdojnë me fitore të shumta kundër osmanëve, por, në vitin 1447, do të hyjnë në luftë edhe kundër Republikës së Venedikut. Meqenëse, ishte tejet e rrezikshme që njëkohësisht të luftohej në dy fronte, Skenderbeu bëri paqë me Venedikun, sepse si armik më të rrezikshëm, çka në fakt edhe ishte, shihte Perandorinë Osmane. Ngjarja, e cila do të rriste lartë emrin e tij dhe arbërorëve është rrethimi i Parë i Krujës, i cili rrethim ndodhi gjatë vitit 1450. Gjatë këtij rrethimi, ushtria arbërore do t’i bëj rezistencë ushtrisë kryesore osmane të drejtuar nga vetë sulltan Murati II. Meqenë se nuk arritën ta marrin Krujën, më në fund osmanët e hoqën rrethimin. Deri në vdekje, Skendërbeu do t’u bëj rezistencë me sukses edhe dy rrethimeve tjera osmane të Krujës, të cilat rrethime, sikurse edhe rrethimin e mëparshëm, do t’i drejtonte vetë sulltani, që gjatë këtyre rrethimeve ishte Mehmeti II Fatih, ngase në vitin 1451 kishte vdekur i ati i tij, sulltan Murati II.

Mirëpo, gjatë luftës së tij heroike pati edhe ngjarje të pakëndshme dhe sprova të vështira siç ishin tradhëtia e Moisi Golemit, e në veçanti tradhëtia e Hamza Kastriotit. Megjithatë, edhe këto tradhëti do t’i përballoi me sukses. Fitoret e tij e rritnin emrin e tij e të Arbërisë edhe jashtë atdheut, ashtu që do të fitoj shumë mirënjohje dhe lëvdata nga të huajt, deri edhe nga vet papa. Mirëpo, siç e ceka edhe në fillim, zemra e këtij luani pushoi së rrahuri më 17 janar 1468, me vdekjen e së cilit u dobësua edhe rezistenca arbërore. Sipas Barletit dhe shkrimtarëve tjerë, pasi e morën Lezhën, osmanët, e hapën varrin e tij dhe nga eshtrat e tij punuan hajmali.

Mirëpo, vdekja fizike nuk do të thotë edhe vdekje totale, ngase njeriu është gjallë aq sa jeton në kujtesën e të tjerëve. Kur bëhet fjalë për Skendërbeun, kujtesa , për të, nuk u shua kurr tek shqiptarët, por mbeti gjithmonë në mendjën dhe zemrën e tyre. Shpesh herë ishte frymëzim për qëndresë dhe kryengritje të ndryshme kundër okupatorit. Sidomos, ishte frymëzim gjatë fazës së Rilindjës Kombëtare, kur inteligjenca atdhetare e përdori emrin dhe veprimtarinë e tij për fuqizimin e ndjenjës kombëtare. Rilindasit shkruan vepra të ndryshme për mbrojtjen e të drejtave kombëtare, ku secilën herë që përdorej e drejta historike, përmendëshin edhe të bëmat e arbërorëve të udhëhequr nga Gjergj Kastrioti – Skendërbeu. Nuk kishte tubime të rëndësishme ku nuk përdorej emri i tij dhe sa herë përgatitëshin për kryengirje të ndryshme, ndër të tjera, thonin: ,,të luftojmë kundër armiqëve si në kohën e Gjergj Kastriotit – Skendërbeut”. Përveç që ishte frymëzim, Skendërbeu, u kthye edhe në simbol kombëtar. Këtë më së miri na e dëshmon fakti se vet flamuri i familjës Kastrioti u pranua flamur kombëtar, i cili flamur, më 6 prill 1911, u ngrit edhe në vendin tonë, në Deçiq të Malësisë së Madhe. Ndërsa, me ngritjen e tij më 28 nëntor 1912 u rishpall pavarësia e shtetit shqiptar.

Figurës së Skendërbeut, gjatë kohërave të ndryshme, shumë rëndësi i kanë dhënë, dhe i japin, edhe të huajt, të cilët sa herë përmendin Perandorinë Osmane, flasin edhe për rezistencën heroike të shqiptarve të udhëhequr nga prijësi i tyre. Paolo Gjovio, peshkopi i Noçerinës, e quan ,, Fre i barbarëve, sepse askush nuk doli fitimtar në beteja më shpesh se ai”. Konstantin Mihailoviq, jeniçer serb në veprën e tij, ,,Kujtimet e jeniçerit”, ndër të tjera thotë se: ,, Vetëm Skendërbeu i bëri rezistencë të suksesshme sulltanit, sepse në pallatin perandorak njohu aftësitë ushtarake osmane dhe mësoi se si duhet bërë rezistencë”. Historiani austriak, Julius Prisko, në librin e tij të titulluar ,,Skanderbeg”, ndër të tjera thotë: ,,Skendërbeu mund të quhet, pa ngurim, heroi më i madh i të gjitha kohërave”. Shkrimtari dhe filozofi danez, Ludvig Holberg, e shpall Skendërbeun si një nga gjeneralët më të mëdhenjë në histori. Agnes Replier, studiuesi amerikan, ka mbet i mahnitur nga trimëria e Skendërbeut, saqë ndër tjera thotë: ,,se Gjergj Kastriotin nuk e frigoi asgjë dhe ka dij që çdo grykë e gur ta kthej në mik dhe aleat”. Xhejms Ladlou hartoi veprën ,,Kapiteni i jeniçerëve”, me arsyetimin se ,,është e çuditshme se sa lehtë e harroi bota Skendërbeun”. Përveç veprave historike dhe romanëvë, nuk munguan as operat nga njerëzit e mëdhenjë të muzikës. Kompozitori i njohur italian i barokut, Antonio Vivaldi, për nder të Skendërbeut e krijoi një operë të titulluar ,,Skanderbeg”. Po ashtu, një operë me titull ,,Skanderbeg” ia kushtoi edhe kompozitori francez, Fransua Frankoe. Duhet përmendur se Skenderbeut i janë dedikuar dhe shumë përmendore, sheshe, rrugë, shkolla etj. si në Shqipëri, ashtu edhe nëpër vendet e ndryshme botërore.

Edhe shtypi, sidomos shtypi i huaj, i shekullit XIX dhe fillim shek. XX, në shumë raste kur shkruajnë për shqiptarët, nuk e lënë pa e përmend edhe Skendërbeun, çka dëshmon për rëndësinë e këtij personaliteti botërorë. Kemi vërejtur viteve të fundit se disa pseudoshqiptar po e sulmojnë dhe mundohen të përulin dhe të baltosin këtë figurë madhështore, por në atë mënyrë përulin dhe baltosin vetëm vetvehten, sepse nuk mund të përulet dhe as të baltoset një figurë kaq madhështore, siç është kryeheroji shqiptarë. Ne patëm fat që e patëm një figurë të tillë madhështore dhe se emri i tij do të jetoj aq sa të ketë shqiptarë, çka nënkupton se do të jetë i përjetshëm, sepse populli shqiptar nuk mund të zhdukët sa të ketë shqiptarë të vërtetë, të cilët kombin e kanë gjenë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë në botë. Dhashtë Zoti që viti i Skendërbeut të ndikoj në zemrat e shqiptarëve dhe të sjellin ne mes tyre bashkimin, ashtu që së bashku të përballojmë sfidat e ndryshme të kohës.

Mark Junçaj,
Prof. i Historisë