Nga Gjekë Gjonaj
Zgjedhësit e Komunës së Ulqinit do të shkojnë me 4 shkrut të këtij viti në kutitë e votimit për të dhënë votën e tyre për 33 këshilltarë që do të ketë parlamenti vendor. Partitë politike kanë bërë gati të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zgjedhje dhe i kanë dorëzuar Komisionit Komunal Zgjedhor listat e kandidatëve të cilët sipas tyre do të artikulojnë më së miri interesat e qytetarëve.
Praktika e deritashme ka treguar se, pothuaj në të gjitha zgjedhjet e kaluara vendore apo qëndrore, partitë politike shqiptare, edhe krahas disa tentimeve, gjithmonë kanë mbetur të përçara dhe pa një bashkim të mirëfilltë të tyre në një koalicion të mundshëm parazgjedhor. Edhe në këto zgjedhje shqiptarët do të garojnë ndaras pa ndonjë program të unifikuar në tri kolona, gjë e cila kam frikë ( jo vetëm unë) se edhe në Ulqin do të përsëritet skenari i zgjedhjeve lokale për Komunën Urbane të Tuzit.
Nëse vërtetë duam që Komuna e Ulqinit të drejtohet nga shqiptarët, lidershipi shqiptarë në këtë fushatë garuese duhet patjetër të përcjell tek elektorati ide, programe, projekte e vlera, dhe jo më inate e përçarje. Kjo aq më tepër për faktin se këtu garojnë edhe me ngjyra etnike. Dua të besoj se liderët shqiptarë do t’i kontribuojnë kësaj klime politike, duke i shmangur elementet e mundshme negative në këtë fushatë e duke promovuar qetësi, kulturë demokratike me vlera perëndimore.
Partitë politike shqiptare, edhe pse të ndara e të përçara, në zgjedhjet lokale do të duhej të tregojnë maturi dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ato përpjekjen e Partisë Demokratike të Socialistëve dhe çdo partie tjetër malazeze për të përvetësuar votuesit shqiptar, duhet konsideruar si rrezik, i cili duhet shmangur. Është koha e fundit që faktori politik shqiptar të forcojë kreativitetin e partive të veta, të konsolidohet, të analizojë gabimet dhe të përëqëndrohet në problemet konkrete të shqiptarëve të cilat dallojnë thelbësisht nga ato të qytetarëve të etnisë malazeze, serbe etj.
Të dy blloqet politke , si ato shqiptare ( UDSH, Forca, Koalicioni “ Zgjohu” i përbërë nga PD, LDMZ dhe Perspektiva), poashtu edhe malazeze ( PDS, PSD, Socialdemokratët, Demokratët, PB dhe lista e përbashkët PPS e FD, gara do të jetë e nxehtë dhe e pakompromisë për sigurimin e legjitimitetit të humbur, apo për forcimin e tij nga zgjedhjet e fundit parlamemntare. Domethënë edhe ky proces zgjedhor, sikur të gjithë të tjerët, do të jetë edhe çështje e legjitimitetit të partive kundrejt zgjedhësve. Për këtë arsye secila parti politike këto zgjedhje i vlerëson shumë të rëndësshme, mbase ato do të jenë një mundësi e mirë që subjektet politike fituese të dëshmojnë punën dhe përkushtimin e vet për të qenë në shërbim të qytetarit, dhe të përcaktojnë dhe testojnë rolin dhe pëprgjësinë e tyre në periudha të caktuara. Prandaj, këto zgjedhje nuk do të jenë thjesht lokale, por më shumë se kaq, meqë disa parti politike vlerësojnë dhe besojnë se do të rrisin numrin e votave për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi.