Tirana kërkon nga Maqedonia të dënojë thirrjet raciste kundër shqiptarëve

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar për mbishkrimet raciste dhe gjuhën e urrejtjes kundër shqiptarëve në Maqedoni.

Në një deklaratë për mediat, Ministria e Jashtme kërkon që autoritetet maqedonase të hetojnë dhe të vendosin para përgjegjësisë autorët.

Deklarate e plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e saj dhe dënon gjuhën e urrejtjes së përdorur në mbishkrime në hapësira publike në Manastir, në adresë të shqiptarëve. Nuk është hera e parë që Manastiri, qyteti i kongresit historik të gjuhës shqipe dhunohet qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve.

MEPJ u kërkon autoriteteve të Maqedonisë të hetojnë dhe të venë para përgjegjesisë autorët e këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cënojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin. ​