Kuvendi i Komunës së Tuzit, anulon vendimin për zgjedhjen e Abedin Axhoviq për kryetar të Komunës

Në “vazhdim” të seancës së dytë të Kuvendit të Komunës së Tuzit, komunë në kuader të Kryeqytetit, pas shumë debateve dhe mospajtimeve pozitë dhe opozitë, shumica parlamentare vendosi që për shkak të shkeljes së procedurës dhe gabimeve të bëra, të anulojë vëndimin për zgjedhjen e kryetarit të Komunës Abedin Axhoviq.

Kryetari i Kuvendit të Komunës Fadil Kajoshaj, pranoi shkeljen e statutit, duke kërkuar haptazi falje për gabime, duke e arsyetuar këtë me faktin se as nuk e ka nënshkruar vendimin për zgjedhjen e kryetarit.

Në fillim të seancës këshilltari i ASH-së, Gjergj Camaj, bëri disa vërejtje teknike rreth mënyrës se si është thirrë seanca, e që sipas tij me këtë shkelet statuti.

Këshilltari i LDSH-së, Vasel Berishaj, ndër të tjera tha: “sipas dijenis sonë dhe dijenisë së qytetarëve seanca e dytë është mbyllur më 02.03.2018. Nëse ka shkelje të statutit, e ne jemi të bindur se ka, atëherë duhet të thirret seanca e re, me propozime të reja për kandidat të rinj, të bazuar në nenin 77 të statutit të komunës”. Berishaj përsëriti se LDSH e kanë të njëjtë se kush ka me qenë kryetar, duke u nisur nga fakti se të gjithë burojnë nga i njëjti brum politik, por mendojnë se dikush duhet të ndeshkohet për shkelje të statutit.

Këshilltari i ASH-së, Nik Gjeloshaj, tha se me këtë rast është shkelë statuti i komunës dhe se kuvendin janë duke e shndërruar në kafene.

Këshilltari i Demokratëve, Shtjefen Camaj, theksoi se nuk mundet të bëhet anulimi i votimit, pasiqë ky vëndim as nuk është shpallë zyrtarisht, por duhet të behet zgjedhja e re e kryetarit.

Këshilltari i LDSH-së Ivan Ivanaj tha se thonë se kur Kolumbo u nis në ekspeditë, nuk kishte lidhje se ku është duke shkuar, por, gjithashtu kur ka mbërri në Amerikë, përsëri nuk kishte ide se ku gjindet,e sipas tij kështu është puna edhe me shumicën në atë komunë.“Kur ne të LDSH-së, u kemi thënë se kujdesni se çfarë po bëni dhe kujdesni se në çfarë eksperimentesh po futeni, faktikisht na keni shpallë luftë politike. Me atë ditë që keni çua dorë nga komuna e plotë, me atë ditë ju ja keni vu themelet këtij cirkut e këtyre skandaleve që po shfaqen herë pas here në komunë. Ju pra jeni fut në një pyll nga i cili edhe me dasht e me ditë ju nuk mund të delni”. Ivanaj shtoi se ky kuvend është kthye në një kafe në të cilen nuk din kush pin por dihet kush paguan dhe tërë këtë cirk e paguajnë qytetaret e Malësisë.

Në fund të seancës, meqenëse shumica parlamentare kishte përgatitur konkludimet dhe propozim vendimet për anulimin e vendimeve të dy marsit, vetem në gjuhen malazeze, reagoi këshilltarja e LDSH-së, Albina Dreshaj, e cila kërkoi që ky propozim të sillet edhe në gjuhën shqipe, pasiqë kjo u takon me ligj.

Shumica u detyrua të marrë pauzë që ky propozim të perkthehet edhe në gjuhen shqipe.

Kështu që me 19 vota të Koalicionit DPS,PB,UDSH,SD dhe 12 vota kundër të partive opozitare ASH,LDSH dhe Demokrateve, u votua anulimi i vendimeve të mëparshme dhe obliguan kryetarin e Kuvendit që përmes procedures së përshpejtuar, të thërras seancën për zgjedhjen e kryetarit të ri të komunes.

Seanca për zgjedhjen e kryetarit të komunes do të mbahet të enjten më 15 Mars 2018.

Albert Camaj