Mali i Zi, si një shtet i vogël, për të ekzistuar, është dashur në çdo epokë të historisë së shtetit, të udhëhiqet nga persona që kanë në dorë të gjithë pushtetin. Kjo vërtetohet që nga mbretëria malazeze e deri në pluralizmin politik pas viteve të 90-ta. Mbreti Nikolla e udhëheqi këtë shtet që nga Kongresi i Berlinit e deri në vitin 1910 si Princ e pastaj si mbret deri në vitin 1921 kur vdiq në Francë ku kishte ikur pas disfatës me Austro-Hungarinë në Luftën e Parë Botërore.
Historia përsëritet nëse nuk mëson prej saj. Mali i Zi, pas njohjes ndërkombëtare në korrik 1878 nga Kongresi i Berlinit, do vazhdonte si shtet sovran deri në Luftën e I Botërore. Në mbarim të Luftës, gjegjësisht në vitin 1918, humb pavarësinë duke iu bashkuar Mbretësisë së Serbisë. Pa u zgjatur në histori, jo pa qëllim e përmenda zanafillën e këtij Shteti për ta lidhur me situatën aktuale.
Pas viteve 90-ta të shekullit të kaluar, gjegjësisht në vitin 1991, Mali i Zi do fitonte Kryeministrin më të ri në Europë që ishte vetëm 29 vjeç e ai do ishte z. Millo Gjukanoviq. Që nga ajo kohë e deri më sot, z. Gjukanoviq përveç posteve të tjera drejtuese ka qenë: gjashtë herë kryeministër shteti dhe dy herë president. Edhe pse edhe në vitet 1989 ishte si sekretar i kryesisë në Komitetin Qëndror në kohën e ish-Jugosllavisë, kurse në vitin 1990 ishte deputet në Parlamentin e Malit të Zi.
Sot, pas 28 vjetëve që nga pluralizmi politik, zgjidhet President shteti një person që ka jetëgjatësinë më të madhe nga të gjithë politikanët tjerë në skenën politike në të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë, por edhe të Evropës. A duhej mbajtur i njëjti person kaq gjatë në politikë? Do mundohem të jap disa argumente:
- Mali i Zi si shtet multientik, nuk ka asnjë grup etnik që përbën shumicën prej 50+1%. Në këtë mënyrë, pluralizmi politik formoi shumë parti që qëllim në vetvete kishin interesin personal, të merrnin nën kontroll të gjithë pushtetin e shtetit dhe të sundonin sa më gjatë që të mundnin. Kjo gjë u realizua plotësisht!
- Z. Gjukanoviq, në bashkëpunim me këshilltarët e tij të brendshëm dhe të jashtëm, e kuptoi shumë mirë situatën rajonale dhe ndërtoi skenarin e jetëgjatësisë dhe karrierës politike të patundur. U bë një nga kryeministrat më të pasur në Evropë dhe në botë në një shtet që ka rreth 620 000 banorë. Si shpjegohet kjo pasuri e fituar? Askush nuk do ishte më i thirrur për ta shpjeguar pasurinë e z. Gjukanoviq se sa Ai përpara drejtësisë, por që për fat të keq në Mal të Zi nuk ka drejtësi të pavaruar kur vjen pyetja për kupolën që drejton shtetin.
- Ai arriti që në çdo palë zgjedhje që të organizoheshin në Mal të Zi, të neutralizonte në mënyrë perfekte opozitën. Sa herë që opozita jepte shenja që mund të trondisnin themelet e qeverisë së Tij, ai në mënyra të ndryshme arrinte të ndante dhe të nxirrte të papjekur politikisht kundërshtarët e vet.
- Një pjesë e opozitës në Mal të Zi, për fat të keq më duhet të them, pas viteve 90-ta, nuk e kuptoi realitetin në të cilin jetonte brenda shtetit, as realitetin rajonal dhe aq më pak atë global (gjeostrategjik). Parullat e dëmshme opozitare ishin: “Kundër pavarësisë së Malit të Zi”; “Kundër pavarësisë së Kosovës”; “Kundër NATO-s”; “Kundër anëtarësimit në BE”; “Kundër njohjes së Kosovës”; gjithashtu kishte momente që nuk dijtën të distancohen nga “grusht shteti” i shpallur në kohën e fundit etj. Të gjitha këto çështje e fundosën opozitën duke e ndarë në disa subjekte.
- Pavarësia e Malit të Zi (ose më saktë është “Shkëputja nga Serbia” dhe rikthimi i pavarësisë), ishte projekt gjeostrategjik sepse Serbia (në krye të së cilës gjendej “Kasapi” ballkanik) që ishte shkaktare e tre luftërave ballkanike brenda një dekade si republikë e ish-Jugosllavisë, ekzistonte një plan që sa vinte e shtohej për shpërbërjen absolute të sajë. Në këtë mënyrë që në vitet 1999-2001 shtetet e Perëndimit ishin të interesuara që Mali i Zi të përgatitej për tu mëvetësuar. Ashtu, më përpara u mëvetësua Kroacia e deri në luftën e përgjakshme të Kosovës që të gjitha këto ishin projekte ndërkombëtare. Fatëkeqësisht një pjesë e opozitës në Mal të Zi ende nuk i ka kuptuar dhe nuk i ka të qarta këto gjëra. Ose i ka kuptuar, por i shërbejnë z. Gjukanoviq që ta mbajnë sa më gjatë në pushtet.
- Në Mal të Zi, z. Gjukanoviq, në aspektin gjeostrategjik, i kuptoi dhe bëri të pamundurën që së bashku me ndërkombëtarët të realizonte të gjitha qëllimet rajonale. Ishte aktor i padiskutuar në mëvetësinë e shtetit, në njohjen e Kosovës, anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Mbi të gjitha, doli garant para ndërkombëtarëve se do ishte shembull i ruajtjes së stabilitetit në Ballkan. Në këtë aspekt doli i fituar, pavarësisht të palarave që u mundua ti maskonte nëpër shtete të ndryshme sepse qarkullonin akuza për vepra të ndryshme penale. Nuk duhet harruar që ishte edhe nxënës i Millosheviqit (kasapit të Ballkanit) dhe një nga idhtarët e ish-Serbisë së Madhe.
- Nëse futemi në analizën brenda territorit malazez, z. Gjukanoviq është dashur që vite më parë ta kishte lënë politikën se koha e tij kishte mbaruar. Në kohën që ai ka ushtruar pushtetin, të gjitha institucionet shtetërore kanë qenë nën kontrollin e Tij. Ai kishte shumicën në qeveri, parlament, zgjidhte gjyqtarët në pushtetin gjyqësor, kishte nën kontroll absolut shërbimin sekret (Agjensinë Nacionale të Sigurisë) etj, e në këtë kohë shqiptarët janë diskriminuar në çdo aspekt shoqëror. Papunësia ishte dhe është alarmante për shqiptarët, nuk ka asnjë zhvillim ekonomik për 28 vjet në qytetet ku ka shumicë shqiptare, demografia ka ndryshuar duke arritur shifra tepër shqetësuese, përfaqësimi proporcional nuk ekziston, nuk ka mandate të garantuara për shqiptarët në parlament, nuk ka shqiptarë në organe vendimmarrëse, në pushtetin gjyqësor nuk ka asnjë shqiptar të punësuar, në zona ku janë shqiptarët vetëqeverisja lokale është e cunguar ose e pathemeluar, arsimi shqip është i cunguar, sondazhet tregojnë që shqiptarët janë populli më i pa dëshiruar në këtë shtet pas romëve, infrastruktura në vendet shqiptare është skandaloze, ka dallime të theksuara për bindjet politike, korrupsioni është kthyer në një gjë “normale”, etj, etj.
- Pas të gjitha këtyre që përmenda më lartë, e që nuk janë asgjë më tepër se një pikë uji në oqean që plotëson të vërtetën për z. Gjukanoviq, së fundmi, përsëri në garën e Tij për president, shtetet Perëndimore së bashku me Shqipërinë dhe Kosovën e mbështetën kandidaturën e Tij. Ai fitoi. Nuk u befasuam fare. Ai nuk kishte as kundërshtar sepse u përball në këtë mënyrë: Perëndimi e mbështeste, Shqipëria dhe Kosova e mbështesnin, të gjithë mekanizmin dhe pushtetin shtetëror e kishte në duart e veta, në këtë mënyrë gara ishte thjeshte formale. Shqipëria dhe Kosova për herë të parë në histori, si rast i paprecedent, angazhohen publikisht në mbështetje të z. Gjukanoviq. Kjo nuk është “përzierje në punët e brendshme të shtetit”, por nëse mbështesin ndonjë shqiptar për tu bërë deputet në Mal të Zi, atëherë këtë e quajnë përzierje në punë të brendshme. Dhe pyetja për ndërkombëtarët është kjo: A mund të ketë garë demokratike dhe zgjedhje të lira në një shtet që kandidati kryesor i mazhorancës është ai person që për 28 vjet me radhë drejton të gjithë shtetin e Malit të Zi? 28 vjet në pushtet plus pesë tani si President janë 33 vjet jetëgjatësi në skenën politike në pushtet. A mund të flitet më për demokracinë në këtë vend? Për hir të stabilitetit, u mbyt demokracia! Dhe pastaj thonë: “Nuk ka alternativa të tjera”, normal që nuk ka alternativa, kur ju e mbysni demokracinë!
- Josip Broz Tito, Enver Hoxha, Kim Jongu, Gadafi etj, kanë qëndruar në pushtet gati gjysmë shekulli. Z. Gjukanoviq duket se të vetmin merak ka se si të thyeje rekordin e tyre. Qenjen njeri në këtë shtet e ka shndërruar në një “dele të zezë” që e përdor për çfarë të dojë vetë. Këtu merrë fund ideali dhe demokracia e vlerave europiane.
Europë, nëse qëllimi juaj është që të ruani stabilitetin brenda një shteti dhe rajonit, duke mbajtur në pushtet të njëjtit persona me dekada, atëherë këto vlera nuk i pranoj. Perandori romak Marko Aurelio ka thënë: “Jeta e individit vlen më shumë se Roma”, në kohën që Roma kishte skllavët. Atëherë jeta jonë si qytetarë vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Gjyshi im ka lindur në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, ia pushkatoi vëllain komunizmi…, gjithë jetën e kaloi në vuajtje. Kur lindi babi im, ende ishte Jugosllavia komuniste, u edukua me frikë që kurrë nuk duhej të fliste kundër partisë se mund ti merrej jeta…, sot jam unë dhe nuk shoh asnjë ndryshim…, shkruaj për padrejtësi – nuk lexohet shkrimi im; flas për padrejtësi – nuk dëgjohet zëri im, duket sikur bie në vesh të shurdhër; organizohem për diskriminimin që më bëhet mua dhe popullit tim – nuk gjej përkrahje fare. Me votën time e ngrita këtë shtet. Kisha besim se vlerat dhe parimet e shteteve më të civilizuara perëndimore do mishëroheshin thellë në ndjenjën dhe karakterin e këtij populli…, për fat të keq, jo vetëm që nuk është realizuar kjo pjesë, por sot kërcënohet njeriu për tu përjashtuar nga puna nëse flet të vërtetën dhe nuk mendon njësoj si z. Gjukanoviq. Rrjedhimisht Europë, po mbytë ekzistencën tonë. Të kesh një vend në zemrën e dikujt, do të thotë që mos të jesh asnjëherë vetëm. Unë shpresoj se Europa nuk ka braktisë bijtë e vetë. Aty ku drejtësia nuk e ka fjalën e fundit, atëherë edhe shpresa mund të vdesë. Në Mal të Zi, njeriu nuk gjen ende drejtësi. Dua ta përmbyll me një thënjë të një gjyqtari të shquar britanik Lord Bingham i cili pati thënë: “me të vërtetë ekzistojnë vende ku gjyqtarët ishin dakord me qeverinë. Por këto nuk ishin vende ku shumica prej nesh dëshironte të jetonte”.
Me respekt
Msc. Anton Lulgjuraj