Tuz- Qendra Kulturore- Informative “Malësia” në Tuz dhe OJQ “Ilyricumi”, kanë bërë përurimin e dy librave: “Rojtarët e nderit” dhe “Shtypi në Mal të Zi për çështjen shqiptare (1990- 2000)”, të autorit Robert Camaj.
Në këtë përurim, të pranishëm kanë qenë një numër i konsiderueshëm adhuruesve të fjalës së shkruar, në mesin e të cilëve edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, Z. Ernal Filo, përfaqësues të subjekteve politike, personalitete të fushave të ndryshme shkencore, kulturore, e të profileve të tjera në vend, ndërsa për librat në fjalë kanë folur shkrimtari, publicisti dhe gazetari, Fran Camaj dhe përkthyesi Nikollë Berishaj, të cilët kanë folur gjerësisht dhe në detaje për këto dy vepra letrare mjaft me vlerë.
Autori i këtyre dy librave i prezantohet lexuesit me prozë, me romanin e tij të parë “Rojtarët e nderit” dhe me studimin me të cilin e ka mbrojtur gradën shkencore “master” pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike- Instituti i Historisë në Tiranë, “Shtypi në Mal të Zi për çështjen shqiptare (1990- 2000)”.
Shkrimtari, publicisti dhe gazetari, Fran Camaj, duke folur për librin, jo një vështrim kritik pasi atë ua la lexuesve, por shpalosi materialet e dokumentuara në libër, duke theksuar se në kapitujt që e përbëjnë romanin “Rojtarët e nderit”, lexuesi has në fakte dhe ngjarje historike që përshkruhen në këtë libër por dhe në imagjinatë, fantazi, etj.
“Në dorë kemi një roman shoqëror me mjaft elemente historike dhe të dhëna historike dhe monografike. Romanin autori e ka ndarë në 37 kapituj, të cilët i ka shënuar me tituj të veçantë, ata përbëjnë një tërësi dhe secili kapitull paralajmëron ngjarjen për të cilën do të bëhet fjalë në vazhdim. Në 15 kapitujt e parë, flitet në mënyrë të përgjithshme për Malësinë tonë të dikurshme, për jetën e njerëzve të saj, për zakonet dhe traditat e bukura të tyre por edhe të dhimbshme si dhe për pushtimet e huaja të njëpasnjëshme të cilat pothuajse asnjë ditë nuk i kanë dhënë liri këtij populli, duke ia imponuar atij ligjet, gjuhët dhe kulturën e vet, gjë të cilën malësorët nuk e pranuan askurrë”, u shpreh Camaj.
Ai më tutje tha se përveç përshkrimeve të natyrës që vijnë në shprehje, veçanërisht në kapitullin “Kohë të mbrapshta”, hasim edhe në shumë lloje të krijimtarisë gojore si: ninulla, këngë humoristike me elemente të satirës- elegji, përralla, që i japin freski veprës dhe e çlodhin lexuesin nga datat e karakterit historik.
Camaj shtoi se autori i librit është përpjekur që të mos lë jashtë librit ndonjë thënie që e ka dëgjuar nga populli, duke i përdoruar ato në mënyrë sa më origjinale, në të folmen e malësorëve, gjë që sipas tij e vështirëson leximin e romanit nga lexuesit jo malësorë, por nga ana i tjetër i kontribuon ruajtjes së kësaj të folme dhe që në të ardhmen mund t’i shërbej studiuesve në aspektet e ndryshme të gjuhësisë në këtë territor.
Camaj në fund të fjalës së tij, duke e përgëzuar autorin për këto dy vepra letrare, tha se çdo libër do të jetojë aq sa do të dojë lexuesi.
Ndërkohë, një vështrim të tij mbi librin “Shtypi në Mal të Zi për çështjen shqiptare (1990- 2000)”, e ka paraqitur përkthyesi Nikollë Berishaj, njëherësh dhe recensent i këtij libri, i cili tha se puna e mirëfilltë që bëri autori, mund të jetë bazë e mirë për vazhdim të studimeve nga fusha të ndryshme lidhur me vendin, kohën dhe subjektet në fjalë.
“Pra, lidhur me vitet e mbrapshta të Ballkanit të viteve 1990- 2000, lidhur me Malin e Zi si shtet me kapërcim të fazave që nga struktura shtetërore e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, përmes Republikës Federale të Jugosllavisë e deri te plasaritjet e para dhe distancimit ndaj politikës hegjemoniste serbomadhe të personifikuar në figurën e Sllobodan Millosheviqit dhe klikës së tij si shkaktar kryesor të tragjedisë ballkanike të fundshekullit të kaluar dhe lidhur me vlerësimin e fqinjëve (malaziasve) për ne shqiptarët”, theksoi Berishaj.
Për Berishajn, pasqyra që fitohet gjatë leximit të tekstit, e veçanërisht për tekstet e publikura deri në vitin 1997, na tregon qëndrimet e politikës malaziase, pra jo më të mediave por të politikës malaziase, e cila sipas tij në atë kohë ishte e zhytur deri në fyt në makinerinë luftarake antidemokratike, antinjerëzore e antishqiptare. Berishaj tha se autori Camaj, me hulumtimin e tij në këtë libër, do të nxjerr dritë mbi të kaluarën sado e deformuar qoftë ajo.
“Armiku rezervë për dështimet e politikës shtetërore gjithmonë gjendej te shqiptarët. Për ta flitet sipas kuzhinës serbomadhe. Shtypi malazias i kohës që lirisht mund të vlerësohet si kryekëput shtyp luftënxitës, as që kërkon shembuj pozitivë ndër shqiptarët. Gjuha e urrejtjes përcjell çdo veprimtari sado paqësore të shqiptarëve, qoftë ajo e nivelit individual e lëre me atë të organizuar”, theksoi ndër të tjera Berishaj, duke ju prezantuar të pranishmëve trajtimin e të gjitha ngjarjeve që janë reflektuar në këtë libër për një periudhë dhjetëvjeçare, lidhur me ngjarjet e shqiptarëve në Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë në shtypin e Malit të Zi.
Ndërkaq, autori i këtyre dy librave, Robert Camaj, ka falënderuar të gjithë ata të cilën kanë dhënë kontributin e tyre nëpërmjet formave të ndryshme për të nxjerrë në dritë këto vepra letrare të cilat janë fryt i punës së tij disavjeçare.
Autori në fund ju ka dhuruar të gjithë të pranishmëve libra falas si dhe ka shtruar një koktej të begatë.
Botimin e këtyre dy veprave letrare e financoi Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
Koha Javore