Vasel Berishaj: Malazijasit kanë filluar të na përbuzin dhe trajtojnë me përçmim kur këta gjysmëanalfabetë na perfaqësojnë


Ne fillim të angazhimit tim politik, në paraqitjet e mia premtova dhe u zotova se do të jap kontributin tim modest në të mirë të qytetarëve të Malësisë dhe se politikën nuk kam ndërmend ta bëj profesion. Jo vetem që nuk më shkon ndërmend të perfitoj nga politika si individ, por paraqitjen time edhe me këtë rast kuptojeni si reagim njerëzor ndaj gjuhës, shkrimeve dhe mesazheve gjysmëanalfabete të përfaqësuesve dhe funksionarëve partiakë te subjekteve politike shqiptare në Malësi.

Më tmerron fakti se pikërisht këta persona që janë bërë borxhëlinj të pushtetit, duke u dhënë poste, lehtësime dhe privilegje tjera, sot kanë fytyrë dhe dalin e kërkojnë votën tuaj?!

A nuk e hetoni arrogancën e këtyre dallaverxhinjëve se edhe pas disa fushatave po vazhdojnë tu qesin pluhur syve dhe u fyejnë madje edhe inteligjencën tuaj?

Ku është morali politik i këtyrë personave dhe ku e gjejnë forcën që pa asnjë fije turpi të publikojnë broçkulla kote të mbështjellura me premtime të thata, kur për të satën herë në dëshmuan se ata pa pikën e turpit mendojnë, luftojnë dhe perfitojnë vetëm për vete!?

Çka përfitoi Malësia, ose edhe komunat tjera ku banojnë shqiptarët në Mal të Zi nga fjalet boshe të këtyre individëve dhe subjekteve të tyre politike? Kush perfitoi nga postet e tyre të pamerituara as me dije as me punë, perveç atyre personalisht dhe familjarëve ose ndonjë bashkëpartiaku besnik që zhurmon nëper kafe të Tuzit para dhe pas fushatave politike?

Votues të ndëruer, unë jetoj dhe e ndaj fatin bashkë me ju në ambiente ku gjuha shqipe po rrudhet, rinia po shpërngulet dhe premtimet e pushtetarëve përfundojnë me ndonjë emërim të ndonjë borxhliu në ndonjë post që për pushtetin ka kryer punë duke shpërdoruar votat tuaja.
Nuk është aspak e habitshme që edhe malazijasit kanë filluar të na përbuzin dhe trajtojnë me përçmim kur këta gjysmëanalfabetë na perfaqësojnë. As nuk dijnë me mendua, as nuk dijnë me folë, as nuk dijnë me shkrua, as nuk dijnë me punua e as që kanë kaçik me e reprezantua shqiptarin dhe malësorin dinjitoz, të palekundur dhe të fjalës.

Palaçot si puna e tyre konsumohen shpejt, nuk kanë asnjë peshë dhe nuk na nderojnë.

LDSH e kërkoi BOJKOTIN sepse pati mundësi të mos marrë pjesë ne zgjedhje të cilat realisht nuk janë tonat.
Ne në LDSH patëm mundësi ta bëjmë këtë sepse nuk jemi borxhëlinj të askuj. Ne nuk jemi hyzmeqarë dhe askush nuk na e ka “zan bishtin me derë”.

Malësia mbrohet vetem me politikë të dinjitetshme, me punë të ndershme, negociata dhe marrëveshje eventuale që shkojnë në të mirë të saj, e jo me negociata për fitime personale.

Malësorë dhe malësore, vota është e juaja, por nëse i lëshoni ato në thesin e këtyre biçim tregtarëve, pasojat i bartim të gjithë ne, pra Malësia, ndërsa për veç vetë atyre nuk përfiton askush. Ata janë të papërmirësueshëm derisa pa pikë turpi vazhdojnë të kërrkojnë votën tuaj për të larë borxhet e veta për postet dhe privilegjet që i gëzojnë ose i synojnë.

A nuk na e kanë dëshmuar sa e sa herë se janë në shërbim të nje politike ku tregtohet për fitime personale?

Mirëpo, mos harroni se nëse ata shiten, MALËSIA NUK ËSHTË NË SHITJE! As LDSH nuk shitet.
#BOJKOTO PG!

Vasel Berishaj – LDSH