Më 25 gusht 2018, në Tuz, në mjediset e Hotel “Oasis”, u mbajt mbrëmja përkujtimore, për të nderuar kujtimin për veprimtarin e ndjerë Gjergj Kalaj, i cili u nda nga kjo jetë në mars të vitit 2016.
Bashkëshortja e Gjergjit, Gjyste Kalaj, për organizimin e natës përkujtimore për veprimtarin dhe aktivistin e dënjë të çështjes kombëtare tashmë të ndjerin Gjergj Kalaj në Malësi kishte mbledhur miq, profesora, poetë artistë e aktivistë dhe shokë të Gjergjit, të ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe SHBA, të cilët në kujtim të tij kanë lexuar poezi dhe shkrime dedikuara për të.
Në këtë natë u bë edhe promovimi i librit me kujtimet e miqëve shokëve, të njohurve e të afërmve të Gjergj Kalajt, të mbledhur në një libër të titulluar “Gjergj Kalaj – Homazh për njeriun dhe patriotin e shquar” (Tiranë, 2018), përgatitur e botuar nga shkrimtari e studiuesi Nasho Jorgaqi dhe studiuesja Kristina Jorgaqi.
Në këtë mbrëmje përkujtimore, të moderuar nga profesoreshë Teuta Kalaj, folën: botuesi i këtij librit Nasho Jorgaqi, publicisti Ilir Mborja, profesor Pëllumb Xhufi, poeti Agim Gjeka, Bardhyl Reso dhe Luan Poprati, të cilët vlerësuan lartë vepren e të ndjerit Gjergj Kalaj.
Ndërkaq, në pamunëdsi që të marrë pjesë në këtë mbrëmje përkujtimore, shkresë kishin dërguar edhe akademik Rexhep Qosja dhe studiuesi Behar Gjoka.
Në kujtimin e akademik Rexhep Qosja, për të ndjerin Gjergj Kalaj thuhet:
“Në qoftë se mund të themi sot se shqiptarët e Nju Jorkut dhe të SHBA në përgjithësi kanë luajtur rol vendimtar në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare e, në kuadrin e saj, sidomos të çështjes së Kosovës, atëherë duhet të dihet se roli i Gjergj Kalajt, në këtë veprimtari ishte shumë i madh – ishte historik”.
Albert Camaj