Nga Gjekë Gjonaj
Para pesëmbëdhjetë vitesh kur Shoqëria Kulturore Artistike “ Besa” nga Trieshi, më 3 gusht, filloi manifestimin e bukur e kuptimplotë “ Logu i Bjeshkës- Mis Bjeshka” në bjeshkën e Koritës isha shumë i gëzuar dhe i lumtur. Pse? Për faktin se u ringjallë një traditë e hershme e Treishit dhe e trevave tjera shqiptare në Malin e Zi, ku dikur “ Logu i nuseve” si konkurs shekullor në mes të nuseve malësore të fshatrave zgjidhej bukuroshja e vitit e veshur (stolisur) me kostumin e saj popullor – xhubletën. Madje, organizatori, para disa vitesh më nderoi duke më ftuar si anëtar i jurisë së këtij spektakli të bukurisë . Atë vit për fronin e bukurisë, në prani të qindra pjesëmarrëseve dhe mërgimtarëve të trevave të ndryshme shqiptare, konkurronin afro 15 bukuroshe malësore. Secila më e bukur se tjetra. Domethënë ky manifestim asohere ishte një ngjarje përtej trevës. Po sivjet? “Mis Bjeshka 2018” kishte vetëm një bukuroshe malësore. Bukuroshet tjera malësore të bjeshkës së Koritës ngadalë po i “ përpinë” koha. Në mungesë të tyre mungoi përzgjedhja e bukuroshes së bjeshkës së Koritës për këtë vit. Nisur nga përvoja e sivjetme , organizatori duhet të mendoj për mënyrën e vazhdimit të këtij manifestimi tradicional i cili ,ose duhet të masivizohet , ose të ndryshojë formën , pasi asnjë spektakël i bukurisë nuk ka kuptim pa bukuroshe, siç ishte rasti sivjet në Koritë, për fat të keq.
Përveçse mungoi përzedhja e femrës më të bukur malësore , mungoi edhe prezantimi i denjë i trashëgimisë kulturore të trevës së Trieshit, vallet, këngët, lojërat popullore, instrumentet. Shoqëruesit e mi , mërgimtarët Kolë e Gjergj Zagreda nga fshati Reç i Ulqinit, Zef Gjokaj me origjinë nga fshati Muzheçk i Trieshit dhe prifti i Braticës ( Ulqin) dom Gabrieli u mallëngjyen me bukuritë e natyrës e ajrin e pastër të Bjeshkës së Koritës dhe maleve përreth saj. Por u zhgënjyen me Logun e Bjeshkës. Të pakënaqur se në këtë manifestim nuk valoi flamuri shqiptar u larguan nga Korita me shpresë se viteve të tjera manifestimet popullore të organizohen në pajtim me pritshmëritë e shumicës së popullatës shqiptare. “ Ne mërgimtarët shqiptarë jemi të etshëm për trashëgimininë e shkëlqyer që na kanë sjellë të parët tanë brez pas brezi, për ruajtjen e pastër të traditës e vlerave tona për të cilat secili nga ne jemi krenar. Festa e sotme e bjeshkatarëve Shën Shtjefni në Koritë është edhe festa jonë. Për këtë arsye edhe ne nga Nuu-Jorku e Ulqini kemi ardhur këtu. Të festojmë dhe të kënaqemi së bashku duke shijuar bukuritë mahnitëse të natyrës së kësaj trevë, por edhe për të majtur gjallë trashëgiminë, traditën, kulturën dhe simbolet tona kombëtare”, u shprehën miqtë e mi dhe dashamirët e kulturës shqiptare gjatë kthimit për në shtëpi nëpër kthesat zig-zake të rrugës gjysmë të asfaltuar Koritë -Triesh në shumë vende vështirë e kalueshme për shkak të shirave të rrëmbyeshëm të vjeshtës dhe dimrit. Zhgënjimi dhe shqetësimi i mërgimtarëve që i përmendëm arriti kulmin kur arritëm para Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, në fshatin Stjepoh ku valvitej flamuri i Malit të Zi. Për mendimin e tyre më e dëshirueshme do të ishte ngritja e një busti a përmendoreje të heroit tonë kombëtar, emrin e të cilit e mbanë kjo shkollë me krenari më shumë se një gjysmë shekulli. Dhe, ndoshta, kjo dëshirë jo vetëm e tyre do të jetësohet së shpejti. Sikurse edhe vazhdimi dhe kultivimi i të gjitha vlerave nga kultura materiale dhe jomateriale e kombit tonë.