Një nënstacion i vetëm nuk ka kapacitet të mjaftueshëm
Veçohemi nga të gjithë të tjerët për energji elektrike tejet të dobët që për rrjedhojë na digjen herë pas here pajisjet e ndryshme elektoshtepiake, veçohemi për rrugë të shkatërruara dhe përplot me gropa, për vonesë të ujësjellësit, etj
Sukruq – Mbi 15 familje të Bashkësisë Lokale të fshatit Sukruq, 10 kilometra nga qyteza e Tuzit, prej më shumë se njëzetë vitesh vuajnë mungesën e energjisë elektrike cilësore, si pasojë nënstacioni e ekzistencës së vetëm një nënstacioni i cili nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar gjithë fluksin e përdorimit të pajisjeve elektrike dhe të aparaturave të ndryshme të cilat familjet i përdorin për nevoja të përditshme dhe si e tillë, mungesa e një nënstacioni të dytë, shkakton probleme të mëdha për dhjetëra familje.
Njëri ndër banorët e fshatit, Sukruq i Epërm, Albert Camaj, i prononcuar për gazetën “Koha Javore”, vë në dukje se një nënstacion i vetëm, si pasojë e ngarkesës së madhe të përdorimit të pajisjeve të ndryshme elektrike, pjesën më të madhe të ditës këto pajisje janë jofunksionale për shkak të mungesës së energjisë në masën e duhur.
“Përveç kësaj, një stuhi e vogël apo një reshje shiu po të na godasë, ne na ndalon energjia elektrike dhe për disa orë detyrohemi të qëndrojnë si të paralizuar dhe në errësirë. Këtë problem fshati ynë e vuan prej shumë vitesh dhe ende askush nuk po na vjen në ndihmë për zgjidhjen e këtij problemi. Ka mbi 20 vjet, që vit për vit na premtohet ndërtimi i një nënstacioni të ri për nevojat e këtyre familjeve, por për fat të keq, premtimi ka mbetur vetëm premtim dhe asgjë më shumë”, tha Camaj.
Ai më tutje bëri të ditur se ata janë fshati i vetëm nga të gjitha të tjerat që e përbëjnë BL të Sukruqit, të cilët siç tha, janë lënë në errësirë si pasojë e mungesës edhe të ndriçimit publik, duke shtuar se “të gjitha investimet në këtë fshat, bëhen në bazë të përkatësisë partiake”.
“Ndriçimi publik është evident përreth gjithë familjeve, mirëpo në zonën ku banojnë shumë familje Camaj, aty mungon ndriçimi publik. Ky fshat është lënë pas dore dhe trajtohemi si banorë të rendit të dytë në çdo sferë të jetës dhe në çdo investim. Veçohemi nga të gjithë të tjerët për energji elektrike tejet të dobët, që për rrjedhojë na digjen herë pas here pajisjet e ndryshme elektroshtepiake, veçohemi për rrugë të shkatërruara dhe përplot me gropa, për vonesë të ujësjellësit, etj”, u shpreh Camaj.
Camaj theksoi se për këtë problematikë ka ngre disa herë iniciativa edhe kryetari i BL të Sukruqit, Zef Dedvukaj, mirëpo sipas tij, deri më sot nuk është zgjidhur asgjë në këtë drejtim.
Ai ju bën apel të gjithë atyre që janë kompetentë, që të ndërmarrin iniciativa konkrete deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi.
Koha Javore
t.u