Nga Ismet Kallaba
Akoma pa u shuar mirë plagët nga djegia e ullishtës në Bashbylyk, me ç’rast u dogjën disa qindra ullinj të vjetër (qindravjeçarë) duke shkaktuar një dëm të pakompensueshëm, një tjetër lajm i keq bëhet i ditur në lidhje me ullishtën në Valdanos. Paralajmërimi i qeverisë së Malit të Zi për mundësinë e shkëmbimit të pronës së një firme nga Nikshiqi me pronën në Valdanos, është ngacmimi i një varre tjetër të vjetër dhe provokimi i radhës që u bëhet qytetarëve të Ulqinit nga qeveria e Malit të Zi.
Në fakt, që prej fillimit të sistemit pluralist, Ulqini është shndërruar në skenë të teatrit absurd ku janë kryer me dhjetëra e qindra eksperimente, në dëm të tij dhe të qytetarëve. Janë shkatërruar ndërmarrjet më të fuqishme të tij, si Kriporja e Ulqinit, NHT “Riviera e Ulqinit”, “Agro Ulqini”, “Primorje” etj., janë prishur dhe shndërruar në gërmadha hotelet “Galeb”, “Lido” dhe objekte të tjera, dikur simbole të këtij qyteti, është plaçkitur prona nga individë dhe firma fantazmë, ndërkohë që disa procese gjyqësore zhvillohen kundër Komunës së Ulqinit; pjesën më të madhe të territorit të tij, përfshirë edhe zonën bregdetare, nuk e menaxhon pushteti lokal etj. Kështu nga një komunë bregdetare me burime dhe potenciale të mëdha natyrore dhe zhvillimore, Ulqini është shndërruar në një komunë kontinentale. Kjo falë edhe udhëheqjes së dobët të pushtetit lokal, që nuk i ka mbrojtur interesat e veta dhe nuk e ka ngritur zërin kur është dashur.
Kërkesa e firmës “MN invest” nuk përbën ndonjë çudi. Në shtetet me demokraci të dobët dhe sistem të korruptuar të drejtësisë, siç është në Malin e Zi, individë dhe firma fantazmë kanë shfrytëzuar vrimat ligjore dhe format e ndryshme korruptive për të përfituar. Dhe në vend që të akuzohen dhe dënohen për mashtrime, në të shumtën e rasteve janë shpërblyer nga gjykatat dhe institucionet tjera përgjegjëse.
Se a është “MN invest” një “Cubus Lux” i ri, këtë do ta dëshmojë koha. Por ajo që të çudit është marrja në shqyrtim e kërkesës së kësaj firme nga qeveria e Malit të Zi, e cila po luan me durimin e qytetarëve të Ulqinit duke i vënë ata përballë një sprove të re.
Qetësia dhe durimi janë vlera morale të njeriut, por në vendet e Ballkanit ato konsiderohen si shenja të dobësisë së tjetrit. Është fakt se në Ulqin është dobësuar, për të mos thënë se viteve të fundit mungon fare fryma e kundërshtisë, sidomos ndaj pushtetit, edhe në rastet kur janë cenuar të drejtat themelore të njeriut. Për ta ilustruar këtë, e mbani mend se kur është mbajtur protesta e fundit qytetare në Ulqin?!
Privatizimet e dyshimta, që kanë çuar në shkatërrimin e ndërmarrjeve, uzurpimet e pronave në pjesët më atraktive, menaxhimi i bregdetit të Ulqinit nga një ndërmarrje shtetërore, dhënia me koncesion e pronave në Mozhur, Malin e Brisë, Shas etj., për të cilat nuk dihet se cila është dobia e qytetarëve të Ulqinit, sinjalizojnë pushtimin ekonomik të Ulqinit, që pashmangshëm në planin afatgjatë çon drejt asimilimit të popullatës shumicë autoktone shqiptare dhe ndryshimit të strukturës demografike. Nga ana tjetër, vetë Komuna e Ulqinit nuk ka krijuar, rrjedhimisht as zbatuar një politikë të zhvillimit të planifikuar dhe demografike me qëllim të mbrojtjes së popullatës vendore.
Për fat të keq, duhet pranuar se Ulqini sot nuk ka politikanë dhe personalitete me autoritet, të cilët jo vetëm që do të kundërshtonin idetë dhe projektet e dyshimta që vijnë nga lart, por të cilëve u dëgjohet zëri në qarqet vendimmarrëse në Malin e Zi. (Koha Javore)