Na ndan edhe një javë nga zgjedhjet historike në Komunën e Tuzit, ku tre subjektet politike shqiptare që veprojnë në këtë trevë ( ASH,LDSH,UDSH) janë të bashkuar në kualicionin zgjedhor me emrin Forumi Shqiptar “ Malësia na Bashkon”. Në këto zgjedhje ata garojnë si e vetmja listë shqiptare në mesin e listave të tjera me parti sllavo-malezeze dhe boshnjake.
Ky kualicion i partive shqiptare është pritur me një përkrahje të jashtëzakonshme nga shumë faktorë të ndryshëm në hapësirën mbarëshqiptare dhe diaspora. Në të vertetë diaspora shqiptare nga Malësia është mobilizuar si asnjëherë me parë,me ç’rast një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të kësaj diaspore po kontribojnë në mënyrë konkrete duke udhëtuar në vendlindjen e tyre me qëllim që në këto zgjedhje të votojnë kualicionin e subjekteve politike shqiptare. Si çdo herë gjatë historisë së vet në rastin e momenteve të rëndësishme dhe vendimtare për kombin apo vendlinjen edhe kësaj radhe diaspora shqiptare, përkatësisht diaspora e Malësisë po dëshmon përkushtimin dhe patriotizmin e vet ndaj vendit e të parëve të tyre dhe po përmbush një obligim tjetër kombëtar të radhës.
Forumi “Malësia na Bashkon” jo vetëm që është lista votuese më e mirë dhe më e logjikshme por njëkohësisht është edhe opcioni i vetëm zgjedhor për Malësinë.Ne mund të flasim këtu sa të duam për dobësit apo për gabimet e faktorit politik shqiptar në të kaluarën, por alternativa tjetër zgjedhore në zgjedhjen e së Dielës së ardhshme, pra me 3 Mars, do të ishte kobshme për Malësinë.
Unë kam qenë kritik në të kaluarën ndaj disa dukurive të subjekteve politike shqiptare veprimet e të cilave kohë pas kohe i kam konsideruar si jo kombëtare dhe gjithënjë do të jem edhe në të ardhmen, por jo sot,jo në prag të zgjedhjeve të cilat do të vendosin për fatin e Malësisë dhe për ardhëmërinë e saj.Gjithashtu, unë sot nuk do të merrem me supozime apo kalkulime të ndryshme se çfarë do të ndodh me 4 Mars (pra pas zgjedhjeve) , apo çfarë do bëhet nëse nuk merren rezulltatet e duhura apo numri i duhur por të formuar shumicën absolute në Kuvendin e ardhshëm të Komunës së Tuzit etj.!? Nëse ne shfaqim dyshime, hamendje apo rezervime ndaj listës shiptare “ Malësia na Bashkon” kjo mund të reflektohet negativisht tek votuesit shqiptarë të Malësisë!.
Andaj i bëj thirrje të gjithëve që të përkrahim pa rezervë dhe të kemi besimin e plotë tek Forumi Shqiptar “Malësia na Bashkon”.
Fitorja e kualicionit të partive shqiptare në zgjedhjet e 3 Marsit dhe administrimi (qeverisja )e Komunës së Tuzit në të ardhmen nga ky kualicion është me një rëndësi të veçantë jo vetëm për Malësinë, por të gjithë shqiptarët në Mal të Zi për vetë faktin se kjo do të ndikoj dukshëm në faktorizimin dhe fuqizimin e tyre politik në këtë republikë si dhe në motimivin e subjekteve politike shqiptare që edhe në të ardhmen gjithënjë të dalin me një listë të përbashkët zgjedhore ( qofshin ata zgjedhje lokale apo parlamentare).
Andaj unë sot i jap përkrahjen time pa rezervë Forumit Shqiptar “ Malësia na Bashkon” dhe listës zgjedhore me numrin 5.
-Me 3 Mars 2019 në Tuz të Malësisë mbrohet identiteti , gjuha shqipe dhe flamuri shqiptar;
-Me 3 Mars i thuhet stop asimilimit dhe kolonizimit të mëtejshëm të Malësisë;
-Me 3 Mars ruhet qënia kombëtare shqiptare e Malësisë , vetëm nëse votohet Forumi Shqiptar “ Malësia na Bashkon” !.
MALËSI, ME 3 MARS UNË JAM ME TY,
VËLLEZËR E MOTRA TË NJË GJAKU,GJUHE E FLAMURI,
ME 3 MARS VOTO SHQIP, VOTO KUQ E ZI !🇦🇱
Xheladin Zeneli
24 Shkurt 2019