Malësia, në prag të zgjedhjeve të 3 marsit 2019

Fitorja e Forumi Shqiptar, “Malësia na Bashkon” – Fitore për historinë, kulturën dhe gjuhën tonë të bukur shqipe

Shkruan: Gjon K. Gjokaj, New York

1.

Sikurse dihet, tre subjektet politike shqiptare, Alternativa Shqiptare,  Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve,  kanë përfunduar me sukses misionin e tyre për bashkimin e tyre në një trup të ashtuquajtur, FORUMI SHQIPTAR, “Malësia na Bashkon”, për zgjedhjet lokale të 3 marsit për Komunën e Tuzit. Ashtu sikurse janë shprehur vetë liderët e këtyre subjekteve politike: “Të gjithë ne, së bashku me diasporën e realizuam Komunën e Malësisë,  ndërsa bashkimi ynë ishte obligim moral dhe kombëtar…!” Mesazh, ky, që obligon këto subjekte politike  shqiptare t’i unifikojnë konceptet politike dhe filozofike, në mënyrë  që në këto zgjedhje të këtij fillimmarsi ta sublimojnë  aspiratën e pritur shumë gjatë nga populli shqiptar i Malësisë së Madhe.
Kambanat e këtij zëri të ndërgjegjes dhe të arsyes po bien dhe shpresojmë që kësaj radhe një synim i tillë i këtyre subjekteve i pritur për shumë kohë, për hir të kauzës do të realizohet, pasi që këto subjekte politike shqiptare kësaj radhe do të veprojnë dhe angazhohen si një qenie e përbashkët me moton mjaft të rëndësishme dhe domethënëse: FORUMI SHQIPTAR, “Malësia na Bashkon”, që justifikon njëherësh edhe qëllimin e përbashkët të këtyre tre subjekteve shqiptare.

Aprovimi i Ligjit për organizimin territorial nga Kuvendi i Malit të Zi për themelimin e Komunës së plotë të Tuzit, nuk ishte një koincidence apo dëshirë e pushtetit malazez, por ishte shprehje e një presioni  të vazhdueshëm ndaj pushtetarëve të Malit të Zi, nga ligjëvënësit amerikanë, të cilët pa dyshim se kanë ndikuar në realizimin e Komunës së Tuzit, por është edhe meritë e lobimit dhe demonstrimit të pa reshtur të Diasporës shqiptare në Amerikë, këto njëzet vitet e fundit. Komuna u realizua në Shtator të vitit 2017, por jo edhe në kohën e duhur për Malësi.
Qeveria e Malit të Zi dhe partia në pushtet, që 25 vjet rresht ka mohuar të drejtat nacionale të shqiptareve autoktonë në këtë Republikë,  kanë mohuar të drejtën e qeverisjes lokale dhe realizimin e Komunës së plotë të Tuzit, për shkak të faktorit demografik dhe etnik  të shqiptarëve. Në vitin 1991 Malësia e Madhe me kryeqendër  Tuzin, kishte  rreth 94% banorë me përkatësi kombëtare shqiptare (edhe ata 6% të tjerë, kryesisht (me origjinë shqiptare). Kurse, tani, në vitin 2019 demografia shqiptare në këto troje etnike shqiptare ka rënë në mënyrë drastike, gati 30%, në pak më shumë se 60% të popullsisë shqiptare, kryesisht nga sjellja e ardhacakëve boshnjakë në territorin e Malësisë, por edhe nga humbja e  interesimit të ruajtjes së identitetit shqiptare, politikë e ushqyer në mënyrë perfide çubrilloviqiane  nga pushteti aktual i Malit te Zi.

Shteti i Malit të Zi i identifikuar para qarqeve ndërkombëtare si shtet multi-nacional dhe gjoja si shtet  demokratik e liri qytetare, duke mos pas tjetër rrugë për anëtarësim në NATO, dhe duke qenë në vëzhgim të anëtarësimit në Bashkësinë Europiane, iu desh të deklaronte  njohjen e dy komunave, atë të Gucisë (pothuaj të asimiluar) dhe të Tuzit, drejt asimilimit. Pra, çështjen e këtyre dy komunave e lidhin me integrimin e Malit të Zi në organizatat euro-atlantike, përkatësisht me BE.
2.
Popullsia shqiptare nën Mal të Zi në të gjitha aspektet, vazhdon të mbetet pakica etnike më e diskriminuar në mbarë Evropë. Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se këto vuajtje janë të instaluara me qëllime të caktuara nga pushteti malazez, të  ri-dizajnuara herë  pas here që nga koha e Kongresit të Berlinit të vitit 1878.
Mos të harrojmë se pushteti malazez çdo herë i keqpërdori shqiptarët për interesa të veta, edhe pse duke ditur se shqiptarët nuk janë të rrezikshëm dhe kënaqen me pak, shqiptarëve në vend se t’u jepnin të drejtat e veta nacionale brenda këtij shteti, këta kundër kësaj race autoktone  vendosën të përdorin ekspedita ndëshkimore ekspansioniste deri në asimilim dhe zhdukje graduale.
Pushteti aktual ka zhvilluar një politikë të heshtur antishqiptare, të “malazezimit” dhe “boshnjakizimit”  të shqiptarëve, ky proces u zhvillua më lehtë më qëllim për të mos rënë në sytë e ndërkombëtarëve, proces i cili nuk kërkon ndryshimin e aspekteve sociale dhe religjioze të jetës individuale dhe kolektive , por në mënyrë diskriminuese vepron në heshtje për asimilimin dhe shkrirjen e përgjithshme të  shqiptareve autoktonë, ashtu sikurse vepruan gradualisht në shekullin e kaluar me qytetet shqiptare, si Tivarin,  Rozhajën,   Plavën e Gucinë. Ky asimilim gjuhësor e drejton njëkohësisht procesin drejt asimilimit etnik, gjë që pasqyrohet në strukturën e popullsisë në Komunën e Malësisë, e cila gjithherë  ka qenë tradicionalisht etnike shqiptare.
3.
Të dielën, më 3 Mars 2019, do të ndodh një ngjarje historike për Malësinë e Madhe: qytetarët e Malësisë do votojnë në një referendum popullor me pretendimin për ta udhëhequr Komunën e Shqiptarëve, por në fakt mbi të gjitha do të votojnë dhe përcaktojnë të ardhmen e tyre. Me këtë rast u bëjmë thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë të Malësisë së Madhe, respektivisht gjakut tonë malësorë; Fiseve të  Hotit, Grudës, Trieshit dhe Kojës, të  marrin pjesë masovikisht në këto zgjedhje për të votuar shqiptarët!
Malësia gjithherë ishte flamurtare e luftërave për liri kombëtare, ishte qendër e Kryengritjeve, Kuvendeve e Memorandumeve  historike shqiptare, ku u vënë themelet e para të Pavarësisë Kombëtare, prandaj  le të quhet edhe ky vendim historik për shpëtimin e  Malësisë: “Memorandumi i Malësorëve”, të mos bëhet ujë gjaku i derdhur i heronjve, të mos shkojë dëm dhe humbëtas rezistenca reale e Fatosave Malësorë, që me  pushkë e bajoneta e mbrojtën Malësinë ndër shekuj.

Të nderuar vëllezër dhe motra të Malësisë,

Gjithë bota shqiptare i ka kthyer sytë nga ne, çdo malësor i ndershëm i atyre viseve, këtu në Diasporë po përpiqet që të jep diçka nga vetja e tij për këtë ditë historike të Malësisë tonë të dashur! Pra, ju bëjmë thirrje, o vëllezër dhe malësorë të dashur, që me dorën tuaj ta glorifikoni fatin e vërtetë historik të Malësisë tonë të dashur, duke firmosur, të ardhmen më të shkëlqyer për veten, fëmijët dhe gjuhën tonë të bukur shqipe.

Kështu u thërriste baballarëve tonë në ditë të vështira të ekzistencës kombëtare Homeri i shqiptarëve At Gjergj Fishta:

Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
Gegë e toskë, malci e qyteta,
Gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
Mos ta lini sa t’jetë jeta…!

Ne si malësorë, si rasë e pastër arbërore e gjakut të Kastriotit, kemi krenarinë tonë, traditën, guximin, bujarinë dhe ndershmërinë tonë, virtyte që spikatin cilësinë me të vyer të njeriut-“Besën Shqiptare”, që tregon integritetin dhe besnikërinë me të lartë ndaj Zotit dhe Atdheut. Me këto virtyte mbijetuam çdo furtunë shekullore, përballuam mizoritë më të egra turko-sllave që ka njohur ndonjëherë historia, prandaj ne si trashëgimtare të kurorave të Aleksandrit, Pirros e Kastriotit dhe baballarëve të Pavarësisë Ismail Qemailit, Dedë Gjo’ Lulit e Luigj Gurakuqit, duhet të nderojmë e respektojmë flamurin, legjendat, historinë dhe kulturën e popullit tonë të lashtë, që janë krenaria e kombit tonë.

Ne duhet patjetër ta njohim identitetin dhe përkatësinë tonë kombëtare, mos të lejojmë të na sundojnë ndjenjat tona të shtypura nga barbaritë shekullore, por të njohim veten dhe  të mbrojmë identitetin tonë kombëtar.
4.
Gjatë kohëve të fundit, nga ana jonë janë bërë disa përpjekje për të promovuar dialogun mes partive politike. Kemi dëgjuar me vëmendje shqetësimet dhe pritshmëritë e të gjitha palëve, duke u përpjekur të ndihmonim për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën që ka kapluar Malësinë dekadat e fundit. Tani, që liderët shqiptarë u bashkuan, ata duhet të kenë mbështetjen tonë të fuqishme.

Le të jemi të qartë: Liderët shqiptarë do të mbajnë përgjegjësi që të përpiqen të jetësojnë aspiratat legjitime të qytetarëve të Malësisë për një të ardhme më të mirë, sepse ata kësaj radhe si asnjëherë më parë, do të kenë fuqinë dhe pushtetin në duart e veta, çka do të thotë se buxheti i Komunës do të vihet në shërbim të Malësisë dhe qytetarëve të saj.

Të dashur vëllezër malësorë,

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita e fitores së madhe! Ditët që na kanë ngelur t’i shfrytëzojmë në maksimum që të flasim me familjarë, miq dhe njerëz tanë që masovikisht të dalim në zgjedhje, më datën 3  mars dhe ta rrethojnë numrin 5, listën, FORUMI SHQIPTAR “Malësia na Bashkon!”
Kjo votë është vota e ekzistencës shqiptare në këto troje të baballarëve tanë, betejë jetike për të ardhmen tonë,  për flamurin, historinë, kulturën dhe gjuhën tonë të bukur shqipe,  luftë, e cila duhet të jetë ngadhënjimtare me fitoren tonë!

Malësia do të jetë NDRYSHE, nëse votoni vetëm për FORUMIN SHQIPTAR – numrin 5. Malësia me votën tuaj do të jetë një Mini-Shtet, Komunë e plotë, e vetëqeverisjes lokale, për të gjithë banorët e Malësisë, sepse shqiptarët do ta marrin në dorë fatin e saj. E  për ne Malësorët e Diasporës do të jetë Shtet, që kurrë nuk ju ç’borxhuam  vendlindjes sonë, Malësisë, por dhamë aq sa mundem dhe aq sa patëm për te, se edhe ashtu e ndienim si borxh modest, kundrejt dashurisë dhe mallit që kemi për dheun tonë, Malësinë e dashur!Prandaj, me votën tuaj i siguroni vetes dhe ne folenë tonë!

Me respekt dhe përkulje, gjithmonë në shërbim të Kombit Shqiptar dhe vendlindjes tonë të dashur, Malësisë Heroike!

Zoti e bekoftë Malësinë dhe shqiptarët!

Gëzuar, deri në fitore, më 3 Mars 2019!