Festimi në Tuz sipas DPS-së paska qenë incident i shëmtuar!?

Festimi i fitores nga përkrahësit e Forumit Shqiptar mbrëmë në Tuz, ka qenë i papërshtatshëm, kanë deklaruar nga DPS-ja.

Festimi i fitores së zgjedhjeve lokale në Malësi, në të cilat Forumi Shqiptar (ASH-LDSH-UDSH) doli lista më e fortë, sipas DPS-së, njollosi të gjithë procesin zgjedhor.

“Me mirëkuptim absolut ndaj ndjenjës kombëtare të shqiptarëve dhe të të gjitha pakicave tjera në Mal të Zi, është e papranueshme që ajo të shfaqet në këtë mënyrë, sepse ajo minon konceptin e një shteti qytetarë si themeli absolut i shtetësisë malazeze”, kanë deklaruar nga DPS-ja.

“Jemi të bindur se sjellja e natës së kaluar ishte vetëm një incident i shëmtuar që nuk do të përsëritet më në Tuz as në ndonjë pjesë tjetër të Malit të Zi, me vërejtjen se shteti ka absolutisht aftësinë në çdo mënyrë për të mbrojtur konceptin qytetarë të shtetit të përcaktuar me kushtetutë “, përfundon deklarata e DPS-së.

Në fakt, mbrëmë në Tuz nuk u shënua asnjë incident. U festua ashtu si festohet edhe në vendet demokratike të lira. Aty nuk pati asgjë të shëmtuar. /MALESIA.ORG/