Osmani: Mëkat për qytetin tim

(“Elegji” për Ulqinin)

Nga Qani Osmani

Të shkruash me trishtim për qytetin ku të shkel këmba e ku merr frymë është aq e dhimbshme sa të duket sikur e persekuton imazhin e sfilitur të tokës ku jeton. Është mëkat për qytetin tim ta vështrosh si qytet kaosi.
Pasi, që ka kohë që banorët e këtij qyteti helmohen ngadalshëm, jo nga tymi i oxhaqeve të fabrikave, pasi që fabrika në këtë vend nuk ka, por, nga tymi i hedhurinave të djegura nga disa deponi të ashtutëqujtura inerte opo të egra…Ka kohë që ky vend pitoresk, qytet bregdetar dhe turistik, i njohur për nga burimet e tij të shumta dhe të freskëta po venitet, në mungesë të ujit të pijshëm…Ka kohë që ky qytet nuk e ka spitalin, por ka një ambulancë në të cilën mund të hyjsh i sëmurë , ndërsa të dalish edhe më i sëmurë se sa kur ke hyrë; kjo si rezulltat i pritjes, neglizhencës të stafit mjekësor dhe i mungesës së kushteve elemantare që duhet t’i ketë një ambulancë… Ka kohë që, ky qytet, është shndërruar në sipërfaqe çimentoje dhe asfalti, pa drurë dhe pa gjelbërime…Ka kohë që i ashtuquajturi “Plan Urbanistik”, në realitet po e pamundëson urbanizimin e këtij qyteti… Ka kohë që trafiku nëpër këtë qytet në mungesë të rrugëve të mirëfillta dhe vendparkimeve të mjaftueshme është shndërruar në ankth, si për banorët e tij, ashtu edhe për vizitorët… Ka kohë që kësaj qendre kulturore të shqiptarisë në Mal të Zi, po i mungon infrastruktura themelore për zhvillimin dhe kultivimin e aktiviteteve kulturore, si dhe një bibliotekë e mirrëfilltë…Ka kohë që ky qytet i të rrinjve dhe studentëve po pret që të rrinjtë ta luajnë rolin e tyre të mirëfilltë në shoqëri…Ka kohë që, në këtë qytet, gjithçka është në rënie, duke përfshirë këtu edhe vlerat dhe natalitetin, dhe se gjëja e vetme që po shënon rritje është numri i kafeneve, kazinove dhe bastoreve sportive…Ka kohë që fëmijët e këtij qyteti po presin me ëndje hapjen e një parku rekreativ, ku edhe ata do të mund të loznin dhe dëfreheshin sikurse bashkëmoshatarët e tyre nëpër qytetet tjera…Ka kohë që popullata e këtij qyteti dhe fshatrave përreth në mungesë perspektivash si pasojë e politikës të dështuar po e braktisë këtë vend si asnjëherë më parë, ndërsa , mërgimtarët, të cilët e gjallëronin këtë vend kohë pas kohe, tashmë kanë filluar t’i rrallojnë vizitat e tyre… Ka kohë që e ashtuequajtura ndërmarrje “Morsko dobro” (Të mirrat detare) i ka detyruar shumë qytetar ta ndjejnë vehten si “qiraxhinj” në tokat dhe shtëpitë e tyre… Ka kohë që shumë pronar të ullishtave në Valdanos presin që tu kthehet prona që të mund të kujdesen për ullirët dhe të vjelin frutet… Ka kohë që qytetarët e këtij qyteti të punësuar në ndërmarrjet publike dhe në administratën e Komunës i marin rrogat me vonesë, jo vetëm me muaj, por, edhe me vite…Ka kohë që pushteti loka i kësaj komune i ka veshët e shurdhur dhe dyert e mbyllura për problemet, hallet dhe nevojat e qytetarëve…
Duke u nisur nga kjo që u tha më lartë, dhe shumëçka tjetër që nuk u përmend, madje, përkundër shumë epopeve dhe lirikave të lavdishme të cilat janë shkruar dhe kënduar deri tani për këtë qytet të lashtë dhe vital, si dhe duke marrë parasyshë tentativat e vazhdueshme për “ngulfatjen” dhe “gjunjëzimin” e këtij qyteti në çdo aspekt, është koha që për Ulqinin të thurren “elegji”, në shenjë alarmi dhe kujdesi ndaj një gjendjeje të këtillë në të cilën është pru sot.
E, si të rrishë i qetë e të mos shkruash “elegji” për këtë vend, i cili, nga një qytet rrezistues të përmasave legjendare, është shndërruar në “viktimë” të ndotjes politike, sociale, ekonomike, kulturore dhe arsimore, para se të ngulfatet nga ndotësit kancerogjen nga mbeturinat e qyteteve të tjera bregdetare, e cila për fqinjët e saj përreth prodhon sëmundje dhe vdekje, ndërsa, për ata “të largëtit”-të cilët, popullatës së këtij nënqielli ia dëshirojnë vdekjen po aq sa e duan jetën e vete-prodhon përfitime dhe mirëqenie!
Ky qytet, i cili deri dje mburrej me të kaluarën e tij të largët dhe të afërt, i njejti, sot, e ka vështirë të “frymojë” lirshëm, si rezultat i planeve famëkeqe të “tregtarëve” të fateve njerëzore, në mesin e të cilëve ka edhe disa sosh të gjakut dhe fisit, të cilët, në pamundësi që të konkurrojnë me ndonjë vlerë tjetër (që nuk e kanë), ata, në “pazarin e zi” të këtij nënqielli, kanë nxjerr në ankand publik fatin dhe ekzistencën e popullit të tyre! Këta interesxhinj të paskrupullt dhe shushunjëza të sojit të vet, jo vetëm që po ndërtojnë mirëqenien e tyre mbi fatin dhe fatkeqësinë e mijëra njerëzve, por ata po shkatërrojnë edhe gjithçka tjetër përreth, duke mos lënë as gurë e drunjë!
Kur një qytet e le pa ajrë të pastër, pa ujë të pijshëm, pa drurë, pa kopshte, pa gjelbërime, pa trotoare, pa infrastruktur themelore dhe pa perspektiva, si dhe në momentin kur popullatën e tij e shfrytëzon si “mish për top” si dhe për mitingje partiake, atëher, një qytet i tillë shndërrohet në “fortesë të vetëmposhtur” dhe në “burg me qiell të hapur” për banorët e saj. E, kur banorët e këtij qyteti i vendos para zgjedhjeve, ku secila prej tyre është më e hidhur se tjetra, një veprim i tillë konsiderohet dënim kolektiv dhe krim i pafalur.
Për më tepër, kur këtij populli mundohesh t’ia kufizosh edhe të drejtën e ngritjes së zërit të protestës, duke ushtruar ndaj tyre trysni të ndryshme, frikësim, kushtëzime dhe shantazhe, atëherë ke të bësh me diktaturë “demokratike”. Përrndryshe, si mund të arsyetohet numri aq i vogël i pjesëmarrësve në protestat e deritanishme, që kishin të bëjnë me devastimin dhe shkatrimin e çdo të mire dhe bukurie që këtij nënqielli ia ka falur Zoti, numër ky i cili është disa fish më i vogël se sa numri i personave që marrin pjesë nëpër mitingjet qëndrore parazgjedhore të partive politike të këtushme?!
Sidoqoftë, protestat të cilat i pamë kohëve të fundit, përreth numrit të kufizuar të pjesmarrësve në to, kanë filluar t’i thejnë murret e “kështjellës” së nënshtrimit dhe të nënçmimit, të ndërtuara nga ata, të cilët, karrierën dhe mirëqenien e tyre e realizuan duke shkelur mbi djersën e këtij populli. Madje, s’do mend se, për aq sa trashet “zullumi” i parisë, po aq ngritet vetëdija e popullit. Vetëm përmes ngritjes së vetëdijes kolektive do të arrijmë që t’ia kthejmë lavdinë Ulqinit, si dhe t’ia kthejmë nderin dhe dinjitetin popullit tonë. Përndryshe, injoranca dhe nënshtrimi ka për të na ndjekur në çdo cep të jetës.
Pra, ky është verzioni i shkurtër i “epopesë” së vërtet si dhe realiteti i hidhur i këtij qyteti, i cili qëndroi krenar dhe kryelartë edhe në kohërat më të vështira të historisë së dhimbshme të këtij populli. Të vetmit që arritën t’u a ulin “kokën” dhe ta devalvojnë vlerën e tyre janë pikërishtë ata që hyrën në këtë pushtet dhe qytet si ”çlirimtarë të hypur në kalë të bardhë”, e që për një kohë të shkurtë , u shndërruan në pashallarë të padrejtë dhe despot të pamëshirshëm ndaj popullit dhe vendit i cili i rriti, i ngriti, dhe i ngopi…!