Zeneli: Koalicioni i Partive Shqiptare me PDS-në, në Ulqin, shënojë një ndër zhgënjimet më të mëdha zgjedhore në këtë Komunë

Nga Xheladin Zeneli

(Një vit pas marrëveshjes së partive shqiptare për formimin e pushtetit vendor me PDS-në, Komunën e Ulqinit )

Rreth një viti më parë tre subjektet politike shqiptare që veprojnë në Komunën e Ulqinit (FRD, UDSH dhe Kualicioni “ Zgjohu” (në përbërje të së cilit ishin PD,Lëvizja Perspektiva dhe LDMZ),vendosën të përkrahin përfaqësuesin e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS-it), për kryetar komune në mandatin vijues të qeverisjes pas zgjedheve lokale që u mbajtën me 4 Shkurt 2018. Falë vendimit të tyre (pra, liderëve politik shqiptar), pas 28 viteve të sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, mandati i kryetarit të komunës së Ulqinit kaloi në duart e partisë  së Millo Gjukanoviqit, parti kjo e cila e ka selinë e vet në Podgoricë.
Ju rikujtojmë se në zgjedhjet lokale për Kuvendin komunal të Ulqinit vitin e kaluar, tre subjektet e lartëpërmendura politike shqiptare garuan përballë shtatë subjekteve të tjera sllavo-malazeze me programe të ashtuquajtura qytetare. Subjektet politike shqiptare, edhe pse u paraqitën në këto zgjedhje me tre lista të veçanta megjithate , ata së bashku fituan shumicën e nevojshmë të numrit të mandateve ,pra fituan 18 mandate nga 33 të mundshëm sa ka Kuvendi komunal i Ulqinit dhe patën mundësinë të formojnë pushtetin lokal duke përfshirë edhe zgjedhjen e kryetarit nga rradhët e veta. Por nuk e bënë këtë !?. Përkundrazi, mandatin e kryetarit të Komunës ia dorëzuan përfaqësuesit të Partisë Demokratike Socialiste (DPS-it).Vlen të përmendet se tre subjektet politike shqiptare në fjalë,udhëheqën një fushatë parazgjedhore të bazuar në programin nacional shqiptar dhe kundër PDS-së, çka rezulltoi në fitoren e shumicës së mandateve të tyre të përbashkëta.Pra elektorati shqiptar,me votën e tyre,shfaqi besimin ndaj subjekteve shqiptare , besim ky i cili më vonë, pra pas zgjedhjeve, do të anashkakohet dhe do të shpërfillet nga të njëjtat subjekte duke bërë kualicion me PDS-në dhe me këtë të shënojë një ndër zhgënjimet më të mëdha zgjedhore në këtë Komunë.
Ky zhgënjim merr një dimenzion edhe më të gjërë kur kemi parasysh thirrjet (apelet) e pjesëtarëve të diasporës së Komunës së Ulqinit (që jetojnë në SHBA dhe në disa vende të Europës), që të votohen partitë shqiptare në zgjedhjet e 4 Shkurtit të vitit 2018 ,me qëllim të ruajtjes së kësaj vote brenda faktorit politik shqiptar.
Pra këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë se si liderët politik shqiptar duke mos respektuar vullnetin e bazës së vet zgjedhore, ( pra, ata të cilët i votuan) devijuan dhe keqpërdoruan votën e tyre për qëllime të veta personale. Është e drejtë e secilit subjekt politik që të bëjnë kualicion apo të bashkëqeverisë me subjektet e tjera politike, por askush nuk ka të drejtë që në njërën anë të prezentohet si përfaqësues autentik i shqiptarëve dhe të luaj me kartën nacionale gjatë fushatave parazgjedhore, kurse në anën tjetër, pas zgjedhjeve, ti bashkangjitet një subjekti politik jo shqiptar dhe (si në rastin e Ulqinit), postin numër një në komunë t’ja dhurojë PDS-së, me vullnetin e vet !.
Zgjedhjet në Tuz,një mësim i vertetë për liderët shqiptarë të Ulqinit !

Rreth një viti pas zgjedhjeve në Komunën e Ulqinit, u mbajtën zgjedhjet në Malësi me 3 Mars të vitit 2019 si zgjedhjet e para pas rikthimit Tuzit statusin e komunës së barabartë me komunat e tjera në Mal të Zi. Partitë politike shqiptare që veprojnë në këtë trevë , ASH, LDSH dhe UDSH arritën marrëveshjen për bashkëpunim dhe formuan kualicionin parazgjedhor me emrin Furumi Shqiptar “ Malësia na Bashkon “ dhe garuan në këto zgjedhje me një listë të përbashkët zgjedhore. Ky kualicion i subjekteve politike shqiptare në Malësi pati një përkrahje të madhe nga gjithë hapësira shqiptare dhe nga diaspora. Në fakt, përkrahja e diasporës shqiptare nga Malësia u manifestua në at mënyrë ku një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të kësaj diaspore shkuan në Malësi për të votuar listën shqiptare.
E gjithë kjo rezulltoi me fitoren e kualicionit “ Malësia na Bashkon” me 16 mandate nga 32 të mundshëm me ç’rast ky koalicion fitoi të drejtën e formimit të pushtetit dhe udhëheqjen me komunën e Tuzit në katër vitet e ardhshme duke vendosur PDS-në, në opozitë. Vlen të përmendet se liderët politik shqiptarë në Malësi i tejkaluan me sukses mosmarrëveshjet dhe ndasitë që dominian dy vite më parë,në zgjedhjet e mëparshme të Nëntorit të vitit 2017 ku të njëjtat subjekte shqiptare muarën vetëm 12 mandate në kuvendin e atëhershëm të komunës urbane të Tuzit.
Zgjedhjet e 3 Marsit 2019 në Malësi ishin një mësim i vertetë për liderët shqiptar në Komunën e Ulqinit dhe partitë që ata drejtojnë.Këto zgjedhje duhet të shërbejnë si shembul se si duhet të veprojnë të gjithë ata subjekte politike të cilat janë të pozicionuar që të mbrojnë interesat e shqiptarëve në Mal të Zi.
Bashkimi i partive politike shqiptare, si i vetmi opcion i mbijetimit të tyre politik

S’ka dyshim se zgjedhjet e fundit në Malësi treguan vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin kombëtar të partive shqiptare dhe të liderëve të tyre politik, që veprojnë në këtë trevë.
Mbetet të shihet se nëse një vetëdijësim i tillë do të reflektohet edhe në zgjedhjet e ardhshme të radhës të cilat do të përfshijnë një spektër më të gjërë politik shqiptar dhe ku synohet të merren sa më shumë mandate në Kuvendin e Malit të Zi. Pra, një sprovë e veçantë do të paraqesin zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi dhe është ende pikëpyetje se a do të ndikojë rezulltati i zgjedhjeve të Tuzit si dhe bashkimi i faktorit politik të kësaj treve, (cili u kororëzua me sukses), në motivimin e një bashkimi të përgjithëshëm të partive politike shqiptare në Mal të Zi !?.Është dëshmuar tani se sa herë që subjektet politike shqiptare janë paraqitur të bashkuar apo me një listë zgjedhore, ata kanë përfunduar me numrin më të madh të mandateve edhe përkundër faktit se në të kaluarën disa kualicione  të caktuara të partive shqiptare kanë pasur sfidat e veta në ndarjen e këtyre mandateve.
Duke pasur parasysh rënien graduale e fuqisë politike të partive të shumta shqiptare, gjatë këtyre tre dekadave të sistemit pluralist, është imperative dhe me rëndësi jetike që liderët e këtyre partive, t’a kuptojnë se bashkimi i tyre ( qoftë kjo në formën e kualicioneve zgjedhore apo paszgjedhore) nuk është opcion por është e vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre politike. Çdo veprim i kundërt ven në rrezik egzistencën e tyre si subjekte politike shqiptare.

Maj 2019