Gjeloshaj, priti në takim kryetarin e këshillit për kontrollin qytetar të punës së policisë

Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka pranuar sot, me kërkesën e tij, kryetarin e Këshillit për kontrollin qytetar të punës së policisë, mr.sci Aleksandar Sasha Zekoviq.
Kryetari i Këshillit, Zekoviq, në emër të vet dhe të të gjithë anëtarëve të Këshillit për kontrollin qytetar të punës së policisë, ka përgëzuar udhëheqësinë e posazgjedhur të komunës së Tuzit duke u dëshiruar suksese në punë.
Në këtë takim është biseduar per sigurinë e qytetarëve të Tuzit, komunikimin dhe bashkëpunimin e komunës së Tuzit me Drejtorinë e policisë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të qytetarëve të Tuzit kur është fjala për sjelljen e policisë dhe zbatimin e kompetencave policore si dhe për bashkëpunimin e mundshëm të Këshillit dhe komunës së Tuzit.
Bashkërisht është vlerësuar nevoja që të vazhdohet me aktivitetet lidhur me pjesëmarrjen efikase të banorëve lokal, në veçanti te shqiptarëve, në përbërjen dhe punën e policisë e që është në pajtim me standardet vendase dhe atyre ndërkombëtare.
Në këtë drejtim, është theksuar nevoja në mbështetje të shkollimit në vazhdimësi të pjesëtarëve shqiptare dhe pakicave tjera e të cilët janë të kualifikuar për punë në polici dhe punët tjera të sigurisë.
Kryetari i komunës, Nik Gjeloshaj, ka vlerësuar rekomandimet e Këshillit që komuna e Tuzit, të inkurajoj interesimin e të rinjve nga treva e Malësisë, për arsimimin policor dhe punën në polici, përmes programit motivues të stipendimit. Kjo është mënyra e vetme për arritjen e qëllimeve afatgjatë për pjesëmarrje adekuate të pjesëtarëve të pakicave në organizatën policore.Siç është paralajmëruar, deri në vitin 2020, do të fillohet me programin e stipendimit, me qëllim të rritjes së interesimit për të rinjtë nga Malësia, për punë në sektorin e sigurisë.
Nga Këshilli, kanë rikujtuar se shteti i Malit të Zi, ka siguruar masa të ndryshme të aksionit afirmativ për pjesëtarët e pakicave.
Kryetari i komunës, Nik Gjeloshaj, ka theksuar raportin korekt me udhëheqësit policor duke shtuar se qytetarët vlerësojnë sjelljen e policisë në qendrën urbane të komunës. Po ashtu, është biseduar edhe për mundësitë e avancimit të mëtejm të komunikimit ndërmjet banorëve lokal dhe Drejtorisë së policisë, në veçanti, në zonat kufitare, në mënyrë që edhe atje të permirësohet gjendja dhe per rritjen e angazhimit në punën e policisë kufitare të banorëve shqipfolës.

Orientimi i drejtorit të Drejtorisë së policisë në përgjithësi është që të vazhdohet me implementimin e standardeve vendase dhe ndërkombëtare që përbërja e policisë malazeze, në drejtori dhe të gjitha njësitë organizative, të jetë shprehje e përbërjes së popullsisë duke kyçur këtu edhe strukturën etnike.

Bashkërisht është shprehur besimi se puna e shërbimit policor në Tuz do të rregullohet në pajtim me zgjidhjet të vlefshme për të gjitha komunat e pavarura në Mal të Zi.

Këshilli për kontrollin qytetarë të punës së policisë është trup i pavarur profesional i cili në emër të qytetarëve të Malit të Zi, e në pajtim me Ligjin për punët e brendshme, përciell dhe vlerëson zbatimin e kompetencave të policisë.