Në cilësinë e Kryetari të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, së bashku me sekretarin Lindon Gjelaj dhe koordinatoren e zyrës së Këshillit Adriana Hoxha, zhvilluam një takim pune në zyren e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Podgoricë, në të cilin u mirëpritën nga Ambasadori SH. T. Z. Aivo Orav.
Në këtë takim prezantuam gjendje aktuale të shqiptarëve në Mal të Zi, sfidat me të cilat shqiptarët ballafaqohen dhe përcollëm qëndrimet e Këshillit për të ardhmen.
Ne potencuam shqetësimin tonë për rënien e vazhdueshme të numrit të shqiptarëve në Malin e Zi, si shkak i natalitetit të ulët dhe emigrimit të vazhdueshëm.
Çështjet tjera, të cilat u shpalosën në këtë takim, ishin këto:
– Rëndësia e integrimit të shqiptarëve në institucionet publike në të gjitha nivelet, në propocion me numrin e popullatës.
– Gjendja e arsimit në gjuhën shqipe në Mal të Zi, problemet me plan programet sidomos në lëndët që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, problemet me përkthimet, toponimet dhe emrat e personazheve në ilustrime dhe shembujt ne tekste.
– Gjendja e përdorimit të gjuhës shqipe dhe toponimeve në gjuhën shqipe.
– Çështjet e përdorimit të simboleve kombëtare dhe problemet me mospërputhjen e ligjeve.
– Nevoja për t’u konsultuar përfaqësuesit shqiptarë në proceset e vendimmarrjes kur bëhet fjalë për planifikimin hapësinor, shfrytëzimin e resurseve natyrore të zonave ku jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.
– Kujdesi për kulturën, trashëgiminë kulturore, vendet arkeologjike në zonat e banuara nga shqiptarët në Mal të Zi.
– Situata e mediave dhe informimit në gjuhën shqipe.
– Situata socio-ekonomike dhe infrastruktura e vendbanimeve ku jetojnë shqiptarët
Në takim theksova rëndësinë e vendosjes së bashkëpunimit ndër institucional dhe komunikimit të vazhdueshem me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Podgoricë me qëllim shprehjen e shqetësimeve dhe qendrimeve tona, për çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi.
Në vazhdim, Ambasadori Orav na falenderoi për vizitën që zhvilluam dhe për prezantimin e çështjeve dhe gjithashtu shtoi rolin konstruktiv dhe rëndësinë e pakicave për integrimin e Malit të Zi në BE.