Qeveria e Shqipërisë, ndanë ndihmë financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në MZ

Qeveria e Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, vendosi të japë ndihmë financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, në vlerë prej njëzet e pesë mijë euro, për mbështetjen e funksionimit të këtij këshilli dhe të zyrës koordinuese të tij në Plavë.

Vendimi i Qeverisë për shqiptarët në Malin e Zi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e ndihmës financiare nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, në masën 25 000 (njëzet e pesë mijë) euro, për mbështetjen e funksionimit të këtij këshilli dhe të zyrës koordinuese të tij në Plavë.

2. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2019, në programin buxhetor “Shpenzime diplomatike jashtë shtetit”, në zërin 605, “Kuota ndërkombëtare”, i shtohet kundërvlera në lekë e fondit prej 25 000 (njëzet e pesë mijë) eurosh, sipas pikës 1, të këtij vendimi.

3. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.

4. Ngarkohen Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.