Zëvendës Kryeministri i Malit të Zi, Millutin Simoviq, vizitoi Komunën e Tuzit

Sot, Komunën e Tuzit e vizitoi Zëvendës Kryeministri i Malit të Zi, njëheri edhe  Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Millutin Simoviq me bashkëpunëtorë.
Ai u prit nga kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, nënkryetari Ivan Ivanaj, sekretarja në Sekretariatin për bujqësi dhe zhvillim rural Ismeta Gjoka dhe Elvisa Rexhematoviq.

Siç kumtohet nga Komuna e Tuzit, z. Gjeloshaj falënderoi Qeverinë për kontributin e dhënë ndaj Komunës së Tuzit dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen. Ai gjithashtu njoftoi mbështetjen e Zëvendës Kryeministeit  Millutin Simoviq, se Ministria do të marrë pjesë me gjysmën e fondeve të nevojshme për furnizimin me ujë në zonat rurale malore, për të cilat Komuna ndan mjete të konsiderueshme.
“Aktet e tilla janë shenjë respekti nga ana e qeverisë në përputhje me nevojat e kësaj zone dhe synim për të krijuar energji të re në Komunën e sapoformuar” – theksoi Simoviq.
Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe për projekte të reja dhe njëkohësisht të dy palët shprehën kënaqësinë për përfundimin e ndërtimit të kopshtit të ri në Tuz dhe ndërtimin e rrugës Dinoshë-Cem të Trieshit me vlerë prej 9 milion euro.
z. Gjeloshaj konstatoi se Komuna ka falur truallin për ndërtimin e kopshtit si dhe e ka liruar atë nga taksat komunale. Gjithashtu ai njoftoi, se deri në fund të muajit gusht do të asfaltohet rruga përreth kopshtit.

Siç kumtohet, në fund të takimit u konfirmua partneriteti në mes Komunës së Tuzit dhe Ministrisë së bujqësisë, që bashkërisht të ndihmojnë në zhvillimin e bujqësisë dhe stimulimin e prodhuesve bujqësorë në komunën e Tuzit.

Malësia.Org