19 vite më parë, në Tuz të Malësisë, u themelua portali i parë në gjuhën shqipe në MZ.
Ideator dhe themelues i kësaj dritare të informimit shqip ishte Robert Ivezaj.
Në vitet kur nuk kishte komunikime virtuale, portali Malësia.Org luajti rol të rëndësishëm në informimin në gjuhën shqipe dhe në ngritjen e vetëdijes kombëtare, posaçërisht tek shqiptarët në Mal të Zi.
Në fillim ky portal kishte edhe komunikimin e vetëm përmes internetit, malësia chat, ku shumë të rinj dhe të reja u shoqëruan dhe u bashkuan përmes këtij komunikimi.
Portali Malesia.Org ndoqi me një interesim të jashtëzakonshëm ngjarjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Mal të Zi, siç ishte rasti i procesit të montuar politik Fluturimi i Shqiponjës.
Stafi i këtij portali, i vogël por me punë të madhe, arriti që të bëjë intervista me figura të rëndësishme të jetës kulturore e politike ndër shqiptarë.
Ky portal, për kontributin e vet informativ, u nderua me mirënjohje të larta edhe nga Bashkia Malësi e Madhe, konkretisht nga ish-nënprefekti i Malësisë, së Madhe, Sytki Ndrecaj, nga Komuna e Istogut, me kryetar Haki Rugova, nga Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe Martin Dreshaj, nga Muzeu Etnografik i Malësisë, nga shoqatat e shumta kulturore-artistike etj.
Vlen të ceket se stafi i portalit Malesia.Org rregullisht fiton ftesë nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, në pritjet tradicionale vjetore për nder të 28 Nendorit.
Padyshim se kur punohet vullnetarisht, është edhe më vështirë të veprohet dhe të jepen lajme dhe informata të shumëta, por megjithatë portali Malesia.org, për këto afër dy dekada të ekzistencës së vet luajti rol të rëndësishëm në informimin shqip.
Urime 19 vjetorin Portali ynë!
Albert Camaj