Dje qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, votuan për qeverisjen e ardhshme të vendit dhe 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në orën 19:00 u mbyllën edhe qendrat e vendvotimit në tërë territorin e Kosovës të cilat ishin hapur që nga ora 7:00.
Menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e votave. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar për Telegrafin se tashmë ka përfunduar numërimi votave të rregullta.
Ai ka thënë se procesimi i të dhënave të 4% të vendvotimeve ende nuk është bërë.
Deri më tash në web faqen e KQZ-së figurojnë të numëruar 95,88 % e tyre, apo 2442 vendvotime nga 2547 sa janë gjithsejtë.
Rezultati tregon se deri më tani Lëvizja Vetëvendosje mbetet e para me 25,79% apo 197 mijë e 966 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila radhitet e dyta me 25,05% apo 192 mijë e 300 vota.
Partia Demokratike e Kosovës sipas rezultatit të deritanishëm të KQZ-së, mbetet e treta me 21,15% apo 162 mijë e 342 vota. Në vendin e katërt renditet Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Partia Social Demokrate me 11,63%, apo me 89,287 vota.
Koalicioni NISMA-AKR-PD rrezikojnë të mos e kalojnë pragun zgjedhor.
Sipas rezultateve të deritanishme, koalicioni në mes Fatmir Limajt dhe Behgjet Pacollit ka rënë nën 5%, duke rrezikuar kështu hyrjen ne Kuvend.