Shfaqet në Tuz drama “Zona e pritjes”, nga Teatri “Migjeni”

Më 29. 10.2019, në QKI “Malesia”, në Tuz, Teatri “Migjeni” i Shkodrës u prezantua në skenë, me shfaqjen “Zona e pritjes”, me regji nga Fatos Berisha.

Vepra e autores kroate Marina Vuçiq “Zona e pritjes”, që e solli në skenë regjisori Fatos Berisha u mirëprit me duartroktije të mëdha nga publiku malësor.

Aktorë në këtë dramë ishin: Rita Gjeka, Nikolin Ferketa, Merita Smaja, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Krist Lleshi, Linda Jarani, Nancy Bakalli, Oliver Ymeri.

Në komedinë e zezë “Zona e pritjes” ngjarjet zhvillohen në një korridor ambulance, ku të gjithë presin të futen te mjeku. Por kur u vjen rralla për t’u futur, të gjithë nxjerrin nga një justifikim për ta shtyrë këtë takim. Kemi një zonjë në moshë, e cila përzihet duke u përfshirë në çdo bisedë apo hall që këto personazhe kanë, duke ndërhyrë në hallin e çdo personi, sa arrin të bëhet shqetësim për të gjithë ata që presin. Personazhi i djalit të ri, i cili hiqet si shkrimtar, por në të vërtetë ai është një endacak, i cili shkon në zona të ndryshme të pritjes thjesht për tu ngrohur, sepse nuk ka ku shkon. Ai është një person i vetmuar, babai i tij marinar anijesh ka vdekur dhe gruaja e ka braktisur. Pjesë e komedisë është një aktore filmash, e cila mundohet të futet pa rrallë, duke shfrytëzuar postin e saj publik, por që edhe ajo është e mërzitur me rolet e saja. Po ashtu një djalosh, i cili është i dëshpëruar, dhe ai sëmuret vetëm nëse mjeku i thotë që je mirë me shëndet, sepse ai është i fiksuar se ka një sëmundje. Kemi një çift bashkëshortësh, të cilët grinden gjatë gjithë kohës, dhe bashkëjetesa e tyre është në fije të perit, pasi burri e ka gënjyer që është i paralizuar për tre vite. Në personazhet e komedisë është dhe një vajzë, e cila është e sëmurë, infermierja dhe endacaku.

Albert Camaj