31 persona të infektuar me Koronavirus nga Malësia, të gjithë në gjendje stabile shëndetësore

Të gjithë personat e prekur nga Koronavirus, nga territori i Komunës së Tuzit, janë në gjendje stabile shëndetësore.

Deri me tani janë konfirmuar 31 persona, shumica nga të cilët janë në mjekim shtëpiak.

Banorët e Malësisë janë duke respektuar masat e izolimit shtëpiak me qellim të parandalimit në përhapjen e virusit.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka sqaruar se të gjithë që jetojnë në banesa dhe në shtëpi e që nuk kanë oborre duhet të qëndrojnë brenda, kurse ata të cilët kanë oborre dhe bagëti të cilat duhet ushqyer, mund të dalin të kryejnë punët, por në asnjë mënyrë nuk mund të dalin nga oborret dhe të takohen me individ të tjerë.

Mjeku në shtëpinë e shëndetit në Tuz dr. Halil Dukovi ka theksuar se situatën e lehtëson fakti se shumica e të prekurve janë të moshës së re, mirëpo siç ka shtuar edhe të moshuarit e prekur janë në gjendje stabile shëndetësore.

Në anën tjetër, Shtabi emergjent i Komunës së Tuzit me vullnetarët, vazhdojnë në shpërndarjen e ushqimeve dhe medikamenteve tek çdo familje në Malësi. /MALESIA.ORG/