( 75-vjetori i Maskrës së Tivarit )
Nga Ismet Kallaba
Masakra e Tivarit është një ndër krimet më të mëdha të kryera ndaj shqiptarëve në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, me ç’rast u vranë mijëra shqiptarë të pafajshëm nga qytetet e ndryshme të Kosovës. Për t’i fshehur gjurmët, ata që e kryen krimin u kujdesën që t’i zhdukin kufomat duke bërë që as sot e kësaj dite të mos dihen vendvarrimet e tyre. Kësisoj, për familjet e viktimave, por edhe për shqiptarët në përgjithësi, Tivari u shndërrua në një qytet të urryer që të përkujton dhe simbolizon krimin dhe gjenocidin.
Komunistët e porsaardhur në pushtet në ish-Jugosllavi, jo vetëm që nuk e dënuan këtë masakër, por ndërmorën çdo gjë për heshtjen e saj duke mos lejuar as që të flitet publikisht për të. Një gjë e tillë është e kuptueshme pasi që Masakra e Tivarit ishte realizuar me dijeninë dhe bekimin e vetë autoriteteve, sipas një plani antishqiptar të mirëmenduar me karakter gjenocidal. Ajo që të çudit është heshtja e pushtetit komunist në Shqipëri, gjë që e përforcon dyshimin se edhe ata (komunistët shqiptarë), në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, ishin të përzier në këtë krim.
Vetëm në vitet ’90 të shekullit të kaluar, me fillimin e pluralizmit politik dhe proceseve demokratike, u fillua të flitej hapur për këtë masakër. Një numër i dëshmitarëve të shpëtuar kanë dhënë dëshmi rrënqethëse, gjë që flet në favor të idesë së ekzistencës së një plani me karakter gjenocidal. Në këtë kuadër janë botuar disa libra me dëshmitë e të shpëtuarve, vepra letrare, artikuj publicistikë, janë realizuar filma dokumentarë etj. Megjithatë, gjatë këtyre 30 viteve kanë munguar iniciativat institucionale shtetërore për zbardhjen e këtij krimi. Vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me sa jam në dijeni, ka krijuar para disa vitesh një komision për hetimin e kësaj ngjarjeje lidhur me përgjegjësitë e shtetit shqiptar, por pa ndonjë rezultat konkret, ndërsa Republika e Kosovës nuk e di të ketë ndërmarrë ndonjë hap në këtë drejtim. Për hir të së vërtetës duhet thënë se janë organizuar përurime të librave, tubime shkencore, shënime të përvjetorëve, vizita dhe vendosje e luleve te Monopoli i Duhanit në Tivar, ku mendohet se është vrarë pjesa më e madhe e viktimave, aksione me qëllim ndërgjegjësimi siç është ecja “Rrugës së të mbijeturve të Masakrës së Tivarit” që për çdo vit e organizon Shoqata e Bjeshkatarëve “Rumia” etj.
Këto ditë shënojnë 75-vjetorin e Masakrës së Tivarit. Jo vetëm sivjet, në kohën e koronavirusit, por edhe viteve të mëparshme, udhëheqësit politikë në Kosovë e përkujtojnë këtë masakër përmes postimeve në llogaritë e tyre në rrjetet sociale. Kështu bënë këtë vit Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e ndonjë tjetër. Por a mjafton kjo? Kush duhet të kërkojë që ideatorët dhe ekzekutuesit e këtij krimi monstruoz të vihen para drejtësisë nëse jo institucionet e Republikës së Kosovës?!
Shqiptarët vuajnë nga sëmundja e harresës. Nëse një krim nuk ndëshkohet, ai ka shumë mundësi të përsëritet sërish. Gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar shqiptarët kanë qenë viktima të shumë krimeve serbe. Po përmendim krimet ndaj ushtarëve shqiptarë në ish-Armatën Popullore Jugosllave, masakrat e kryera në Reçak, Prekaz, Likoshan, Qirez, Abri, Podujevë, Suharekë, Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, Celinë, Mejë dhe shumë masakra të tjera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, ku nuk janë kursyer as fëmijët dhe gratë.
Fakti që për Masakrën e Tivarit kujtohemi vetëm në raste përvjetorësh është dëshmi e harresës sonë, kurse ata udhëheqës politikë shtetërorë të cilët mendojnë se e kanë kryer detyrimin e tyre vetëm me një postim në llogarinë e tyre në rrjetet sociale, e kanë gabim. Heshtja dhe harrimi i Masakrës së Tivarit, kujtimi për të vetëm në raste përvjetorësh, është krimi i dytë që bëhet, por tashmë jo nga ata që e kryen këtë masakër, por nga vetë shqiptarët.