Kadri Veseli përkujton Kryengritjen e Malësisë 1911

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, përkujtoi 6 Prillin e Kryengritjes së Malësisë të vitit 1911. Ndërkaq Veseli është i vetmi lider politik nga Kosova dhe Shqipëria i cili u tregua i kujdesshëm për këtë datë historike të rëndësishme jo vetëm për Malësinë por gjithë shqiptarinë.
Lexoni shkrimin:

Gjatë vizitës sime në veri, sot shkova edhe tek varri i Isa Boletinin, në fshatin Boletin të komunës kosovare të Zveçanit. Me këtë veprim doja të kujtoja një ditë të shënuar. Si sot, 109 vjet më parë, në majën e Bratilës së malit Deçiq sipër Tuzit, Dedë Gjo Luli ngriti flamurin shqiptar për herë të parë 443 vjet pas vdekjes së Skëndërbeut e 20 muaj para se të ngrihet nga Ismail Qemali në Vlorë.

Prej atëherë lumenj gjaku janë derdhur që ai flamur të valvitet i lirë e krenar në trojet shqiptare. Në këto përpjekje, Kosova ka mbajtur mbi kurriz barrën më të rëndë, duke e vaditur këtë tokë me gjak heronjsh për të arritur në pavarësinë që gëzojmë sot. Prandaj shkova pranë varrit të Isa Boletinit, jo vetëm për të bërë homazh ndaj njërit prej veprimtarëve tanë më të shquar, por edhe për të rikonforimuar zotimin, se amanetin e tij dhe dëshmorëve të tjerë kurrë nuk do ta harrojmë. Fshati Boletin është tokë e Shalës, tokë e Kosovës dhe kësilloj ka me mbetë përjetë!