Ujkaj: Malësia nga vatër epidemie në model solidarësie

Toni Ujkaj

Mali i Zi ishte shteti i fundit në Evropë i cili konfirmoi rastin e parë pozitiv me virusin COVID –19. Ishin autoritetet shëndetësore, përkatësisht Instituti i Shëndetësisë Publike i cili më datë 17 mars 2020, njoftoi opinionin mbi dy rastet e para të prekura me sëmundjen infektive COVID –19. Atë ditë në mbrëmje kryeministri Dushko Markoviq, deklaroi se virusi u konfirmua tek dy persona të gjinisë femërore të cilat më parë kishin qëndruar në zonat e prekura me këtë virus.

Pavarësisht se Mali i i Zi ishte parapërgatitur për të luftuar me këtë virus, menjëherë pas zbulimit të këtyre dy rasteve, të gjitha strukturat shtetërore: qeveri, kuvend, institucioneve shëndetësore, polici, ushtri dhe dikastere të tjera u mobilizuan për të vepruar me efikasitet për të penguar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi në vend.

Në një kohë të shkurtër u formua një skuadër e përfaqësuesve kompetent  të cilët do të hartonin një strategji për të luftuar këtë virus. Ishte Trupi Koordinues Kombëtar për Luftën Kundër Sëmundjeve Infektive i cili ndërmori një sërë masash të përkohshme kufizuese për të pezulluar shumë veprimtari të jetës shoqërore të favorshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve të cilat hynë menjëherë në fuqi, duke mundësuar kështu një kontroll dhe mbikëqyrje mbi këtë sëmundje dhe duke përcjellë me shumë përgjegjësi dhe kujdes gjithë rrjedhën e kësaj epidemie në vend. Vendosja e këtyre masave ishte teje e mirëseardhur dhe e nevojshme, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të frenohej përhapja e mëtejshme e kësaj epidemie.

Qeveria e Malit të Zi veproi menjëherë dhe pareshtur në përmirësimin dhe avancimin e sistemit shëndetësor në vend, duke blerë maska dhe mjete mbrojtëse,  mjete dezinfektuese, respiratorë dhe pajisje të tjera të domosdoshëm për të ndihmuar gjatë trajtimit personat e prekur me këtë sëmundje.

Solidaritet dhe empati mbi gjendjen e krijuar në vend tregoi Bashkimi Evropian i cili ndihmoi Malin e Zi me një shumë të konsiderueshme të të hollave e më vonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të cilat ofruan ndihma në forma të ndryshme me qëllim që të përballohet më lehtë kjo epidemi e rrezikshme.

Ndërkaq, vetëm pas një jave nga paraqitja e epidemisë në vend, (më 24 mars 2020) në mbrëmje, autoritetet shëndetësore dhe qeveritare kumtuan një lajm të hidhur se nga Malësia (Tuzi) kishin konfirmuar plot pesëmbëdhjetë raste pozitiv me koronavirus, gjë që paraqiste një brengosje të thellë për faktin se numri i të prekurve ishte i lartë në raport me numrin e përgjithshëm të banorëve në vend. Mbi këtë gjendje ishe alarmuar kryetari i Komunës së Tuzit i cili ishte ftuar në një takim urgjent në qeverinë e Malit të Zi me kreun dhe anëtarët e Trupit Koordinues Kombëtar për Sëmundjet Infektive, ku këta të fundit ndërmorën menjëherë masat e përkohshme kufizuese të cilat bënë që të gjithë banorët e territorit të Komunës së Tuzit të karantinohen nga data 25 mars 2020. Pas shpalljes së këtyre masave, banorët e Malësisë e morën me shumë seriozitet dhe përgjegjësi situatën e krijuar në vend, duke u vetëdisiplinuar për të zbatuar me përpikëri masat kufizuese të autoriteteve kompetente. Banorët e trevës së Malësisë qëndruan plot tre javë në izolim total (me përjashtim të atyre që kishin autorizim për dalje).

Dhe, duke u ndodhur në rrethana të tilla, nevojat jetike të banorëve realizoheshin përmes donacioneve dhe vullnetarëve për shpërndarjen e tyre. Fillimisht, nga donacione të qeverisë së Malit të Zi e më pas nga ndihma që ofruan individë të shumtë, afaristë vendas dhe nga diaspora, parti politike në vend, organizata joqeveritare, shoqata atdhetare në diasporë, etj, ndërkohë që nga Komuna e Tuzit ishte formuar një skuadër e gjerë vullnetarësh të cilët me përkushtim të madh dhe sakrificë iu vinin njerëzve në ndihmë për t’u siguruar ushqimet dhe ilaçet e nevojshme për të mbijetuar në këtë situatë dramatike.

Pavarësisht qëndrimit për një kohë mjaftë të gjatë në izolim total, Malësia përgjatë këtyre tre javëve nga një vatër epidemie siç kishin konstatuar zyrtarët kompetentë, u bë një model  civilizimi, solidariteti dhe përgjegjësie kolektive për të mbrojtur vetën dhe të tjerët nga përhapja e mëtejshme e këtij virusi vrastar. Se banorët e Malësisë vepruan si të tillë deklaruan edhe autoritetet më të larta shtetërore dhe ekspertë të shëndetësisë të cilët pohuan se banorët e kësaj treve ishin treguar jashtëzakonisht të disiplinuar në zbatimin e masave të sjella nga autoritetet për mbikëqyrjen e kësaj epidemie për ç’ gjë kanë falënderuar disa herë banorët e Malësisë, duke i cilësuar ata edhe si model dhe shembull për të tjerët.

Në këtë kuadër, falë zbatimit të plotë të masave të përkohshme kufizuese numri i të infektuarve fatmirësisht nuk pësoi rritje drastike, duke mbetur kështu numri i të infektuarve nga kjo trevë në tridhjeteshtatë deri më tani.

Ndërkaq, duke analizuar situatën dhe duke vlerësuar respektimin e këtyre masave, Trupi Koordinues Kombëtar për Luftën Kundër Sëmundjeve Infektive dha pëlqimin që të zbutën masat kufizuese për banorët e Komunës së Tuzit të cilat mundësuan që sadopak pas tre javësh izolim, jeta në Malësia të rikthehet.

Megjithëkëtë, banorët e Malësisë ashtu siç u treguan në karantinë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, duhet të vazhdojnë të jenë edhe më tutje të kujdesshëm dhe solidarë për të zbatuar në maksimum masat e lehtësuara dhe të gjitha vendimet të cilat i sjellin ekspertët për të mirën e përgjithshme të shoqërisë.