T’i mundësohet diasporës shqiptare votimi nga vendet e tyre të qëndrimit!

( Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi , 2020)

Zgjedhjet parlamentare të radhës në Mal të Zi janë caktuar që të mbahen me 30 Gusht 2020.
Nga perspektiva e shqiptarëve, s’ka dyshim se është në interesin e tyre që faktori politik shqiptar në këto zgjedhje të fitojë numrin sa më i madh të mandateve apo përfaqësuesve në Kuvendin e ardhshëm të Malit të Zi.
Në legjislacionin e tanishëm të Kuvendit të Malit të Zi, faktori politik shqiptar përfaqësohet vetëm me një deputet dhe kjo ka ndodhur në rend të parë si pasojë e paraqitjes së partive politike shqiptare me lista të veçanta apo kualicione të ndara në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016 .

Nëqoftëse partitë politike shqiptare kanë për qëllim të fitojnë një numër më të madh të mandateve , pra një rezulltat më të suksesshëm se në zgjedhjet e kaluara, atëherë këtë do t’a arrijnë vetëm nëse realizohen dy komponentë:
1)Subjektet politike shqiptare të garojnë të bashkuar me një listë zgjedhore ; dhe
2)Pjesëtarëve të diasporës shqiptare t’ju mundësohet votimi nga vendet e tyre të qendrimit.

Mendoj se arsyet që partitë shqiptare në Mal të Zi duhet të dalin me një listë zgjedhore ,nuk kanë nevojë që të elaborohen pasi që është dyshmuar tani se vetëm një kualicion i përgjithëshëm, jo i pjesërishëm , mund të fitojë numrin maksimal të votave dhe me këtë edhe një përfaqësim më dinjitoz në Kuvendin e ardhshëm të Malit të Zi, aq më tepër kur sistemi dhe ligji zgjedhor nuk është në favorin e tyre.
Shembulli më i mirë i cili shërben si model suksesi i bashkimit të faktorit politik shqiptar janë zgjedhjet lokale që u mbajtën në Malësi me 3 Mars 2019, ku kualicioni i tre subjekteve politike shqiptare, Forumi Shqiptar ” Malësia na Bashkon” fitoi numrin më të madh të votave ( mandateve) çka i mundësoi atyre formimin e pushtetit në komunën e Tuzit.
Gjithashtu falë bashkimit në një listë zgjedhore u arrit një sukses i favorshëm i faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës në zgjedhjet e fundit që u mbajtën në Serbi.

Kurse sa i përket komponentit të dytë , pra dhënia e mundësisë së pjesëtarëve të diasporës të votojnë nga distanca, është po aq i rëndësishëm sa edhe komponenti i parë . Sipas statistikave zyrtare 1/3 e shqiptarëve në Mal të Zi jetojnë në botën e jashtme, por dihet mirë se në realitet kjo shifër është më e madhe dhe afër gjysmës së popullsisë shqiptare në Mal të Zi sot jetojnë në mërgatë. Çka do të thotë se vota e tyre është diçka që nuk duhet të mohohet dhe anashklohet por mund të merret si faktor me ndikim në rezulltatin e zgjedhjeve qofshin ata lokale apo qendrore.Kur flitet për ndikimin e votës së diasporës në vendlindje, përsëri shembulli më i mirë n’a vjen nga zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit në Malësi, ku fitorja e listës shqiptare në zgjedhjet e vitit të kaluar, në mes tjerash u arrit edhe falë kontributit dhe rolit të diasporës, përkatësisht diasporës shqiptare të Malësisë në SHBA. Kotributi i kësaj diaspore, nuk ishte vetëm në formën e përkrahjes morale apo financiare por edhe në mynyrë të drejtëpërdrejtë ku një numër i konsiderueshëm i tyre udhëtuan në vendlindjen dhe votuan Forumin Shqiptar “Malësia na Bashkon”.

Mirpo kësaj radhe, për shkak të situatës të shkaktuar nga pandemia Covid-19 , me ç’rast janë kufizuar dhe vështirësuar udhëtimet ajrore si pjesë e ndërmarrjeve të masave për minimizimin e përhapjes së pandemisë dhe mbrojtjen e shëndetit publik, votuesit shqiptarë me të drejtë vote në diasporë nuk do të kenë mundësinë e udhëtimit në vendlindje për të votuar, por kjo e drejtë duhet t’ju mundësohet atyre që t’a ushtrojnë nga vendet e tyre të qendrimit.Eshtë interesant fakti se për herë të parë zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi caktohen në muajin Gusht. Në një gjendje normale kjo do t’i përshtatej pjesëmarrjes së diasporës në votime pasi që kjo datë do të përkonte me pushimet e tyre në vendlidje, por siç përmenda edhe më lart, në një kohë pandemie kjo është e pamundur.
Andaj e vetmja mënyrë që ata të votojnë në këto zgjedhje është nga vendet e tyre të qendrimit.
Votimi nga distanca e përfaqësuesve të diasporës është një praktikë që e realizojnë në mënyrë të rregullt dhe standarde disa vende të tjera të rajonit dhe të Europës duke përfshirë edhe shtetin më të ri të saj,Kosovën .

Vetë faktori politik shqiptar dhe përfaqësuesit e tij duhen të angazhohen sa më parë në këtë drejtim (pasi që kanë mbetur më pak se dy muaj nga zgjedhjet), duke kërkuar ndryshimin apo plotësimin e ligjit të tanishëm zgjedhor në Mal të Zi, me qëllim që ti mundësohet pjesëtarëve të diasporës votimi nga distanca, pra nga vendet e tyre të qendrimit.Kjo shkon në favor të subjekteve politike shqiptare, sepse do të ishin ata të cilët do të përfitonin nga vota e pjesëtarëve të diasporës.Në të vertetë është për tu habitur se përse një kerkesë e tillë nuk është bërë deri më tani !?.

Por lidhur me këto zgjedhje duhet të bëhet diçka shumë e qartë. Diaspora do të ishte e motivuar të votojë vetëm nëse subjektet e shumta politike shqiptare në Mal të Zi, do të garonin në zgjedhjet e 30 Gushtit vetëm me një listë të përbashkët (pra, me një kualicion të bashkuar) dhe jo me dy apo tre lista të ndryshme.

E kam thënë edhe më parë në shkrimet e mia të mëparshme se bashkimi apo bashkëpunimi i partive politike shqiptare duke përfshirë edhe formimin e kualicioneve zgjedhore nuk është më opcion por është e vetmja mënyrë e mbijetesës së tyre politike duke pasur parasysh defaktorizimon dhe rënien e fuqisë së tyre si pasojë e parcijalizimit dhe ndarjeve të shumta që ato kanë pësuar që nga koha e vendosjes së sistemit shumëpartiak në Mal të Zi.

Çdo iniciativë apo tendencë e subjekteve politike shqiptare në Mal të Zi për formimin e koalicioneve parazgjedhore me karakter parcial dhe jo gjithëpërfshirës në zgjedhjet të 30 Gushtit, nuk do të arrijë rezulltatin e favorshëm .Do të jetë vetëm një listë e përbashkët shqiptare ajo e cila do t’ju sjell atyre suksesin maksimal zgjedhor.
Nëse arrihet një listë e tillë parazgjedhore e faktorit politik shqiptar, jam i bindur se do të kenë përkrahjen e parezervë të diasporës shqiptare, gjithënjë duke ia bërë të mundshme pjesëtarëve të saj që ata të ushtrojnë të drejtën e votimit nga vendet e tyre të qendrimit.

Xheladin Zeneli
Korrik 2020