A po vjen fundi i regjimit të Milo Djukanovic?
Sipas sondazhit të fundit të kryer nga agjencia CEDEM, opozita aktuale parlamentare në Mal të Zi ka përkrahjen e 52 për qind të anketuarve, që do të thotë, nëse kjo përkthehet në vota, do të rrëzonte DPS-në e Milo Djukanovic-it për herë të parë pas 30 viteve në pushtet.
Sipas këtij sondazhi, shumica aktuale e koalicionit qeverisës e kryesuar nga DPS do të gëzonte vetëm 48 për qind të qytetarëve.
Sipas rezultateve të CEDEM-it, të kryer 17 ditë para zgjedhjeve, DPS gëzon vetëm 35.3 për qind të mbështetjes së votuesve. Nga subjektet të pushtetit aktual me DPS-në, Social Demokratët 5.3 për qind, Partia Boshnjake 4.8 për qind, e që së bashku edhe me dy listat shqiptare dhe listën kroate, del në kuotën e rreth 48 për qind.
Në anën tjetër listat e opozitës aktuale, koalicioni i Frontit Demokratik me 24.7 për qind, koalicioni i udhëhequr nga Demokrate-Demos me 16.6 për qind, koalicioni i udhëhequr nga URA 6.6 për qind dhe SDP 4.2 për qind.
Agjencia CEDEM nga opinioni publik tradicionisht konsiderohet si e afërt me partinë e Djuaknovic-it, megjithatë kësaj herë shumica e pakënaqësive me rezultatët e sondazheve vijnë pikërisht nga DPS-ja, të cilët këtë studim e kanë cilësuar si pjesë e një “fushate zgjedhore të ndyrë”.
Nësë këto sondazhe do të pasqyrojnë realitetin e përkrahjes, atëherë në zgjedhjet e 30 gushtit do të rrëzohet regjimi 30 vjeçar i Milo Djukanovic.
Ai u zgjodh kryeministër për të parën herë në ditëlindjen e tij të 29, në vitin 1991, e është i vetmi udhëheqës i një ish-republike Jugosllave, që ka mbijetuar në krye që prej shpërbërjes së Federatës së vjetër të Jugosllavisë. /MALESIA.ORG/