Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi, në një intervistë për topshqip.mk, flet kryetari i shoqatës atëdhetare Malësia e Madhe në Michigan, z. Ruzhdi Gjokaj i cili jep detaje në lidhje me gjendjen e shqiptarëve atje, koalicionin e të gjitha partive që dështoi pasiqë vet ishte pjesë e negociatave për një koalicion të madh si dhe kontributin që jep diaspora shqiptare për shqiptarët në Mal të Zi.
z. Gjokaj, cili është mendimi juaj aktualisht mbi gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi?
Shqiptarët në Malin e Zi kanë shumë halle. Disa çështje janë zgjedh bajagi mirë, mirëpo mbetet edhe shumë për të dëshiruar. Pika ma e ndritshme e të arriturave është komuna e Tuzit dhe mënyra se si po qeveriset ajo. Në anën tjeter kemi një shembull te keq të qeverisjes së Ulqinit, ku shqiptarët kanë shumicën, por pushtetin e ushtron DPS e Gjukanoviqit. Hallet tjera lidhen me shkollimin, përdorimin e gjuhës shqipe, punësimin, shfrytëzimin e resurseve.
A mendoni se ndërvite ka ndryshuar në të mirë apo në të keqe përfshirë këtu gjendjen politike po edhe ajo ekonomike?
Gjithësesi ka përmirësime, por jo në nivelin e pritur, e besa as të merituar.
Sa ka ndihmuar diaspora në këtë drejtim?
Diaspora është pjesë integrale e vendlindjes dhe jep kontributin kudo që ka nevojë. Duke jetuar larg, ka mundësi që gjerat i shohim ndryshe, por dashamirësia jonë nuk vihet në pyetje.
Në prag janë zgjedhjet parlamentare, si mendon se shqiptarët do të dalin këtë rradhë?
Siç e dini kemi dy koalicione, edhe përkundër kerkesës sonë dhe angazhimit që të jetë vetëm një. Isha pjesë e bisedimeve që dështuan sepse njëra palë tregoi tepër kokëfortësi.
Çka mendoni për koalicionin lista shqiptare Genc Nimanbegu – Nik Gjeloshaj dhe koalicionin e partive tjera shqiptare?
Mendoj se koalicioni i parë meriton përkrahjen tonë, sepse ishte i gatshëm në çdo kompromis vetëm që të dilet në zgjedhje me një listë. Koalicionin tjetër nuk do ta komentoja fare.
A ndiheni të zhgënjyer që nuk u përfill kërkesa e diasporës për bashkim të gjitha partive shqiptare në një listë?
Natyrisht se të gjithë që u angazhuam, ndihemi të zhgënjyer dhe të revoltuar, por kjo nuk do të thotë se ne do të lëmë gjë mangët që shqiptarët të dalin fitues në këto zgjedhje .
Një bashkim i tillë ndodhi pak javë më parë në Luginë dhe shqiptarët atje sigurisht që dolën fitues, ku mendoni se hasën në pengesë shqiptarët e Malit të Zi që nuk u bën bashkë?
Një bashkim i tillë pat ndodhur me parë në Tuz, pastaj në Luginë, e i pjesëshëm edhe në Maqedoninë e Veriut dhe aty u pa se cila është forca e bashkimit. Druaj se inatet dhe interesat e ngushta të disave, na lanë pa koalicion të gjerë.
Edhe përkundër asaj, ju do të vazhdoni edhe më tej të kontriboni në ngritjen e çështjes shqiptare dhe avancimin e tyre?
Pa dyshim dhe pa kursim.
Në të kaluarën ka pasur raste te shkeljeve të marrëveshjeve, sa mendoni se do të respektohet kësaj rradhe?
Mendoj se kemi të bëjmë me parti e lidera serioz dhe as që mund të vihet në pyetje. Jam i sigurt se kur është fjala të përfaqësimi, cilësia e njerëzve do të luaj më tepër rol, se sa përkatësia partiake. Këtë e them në bazë të asaj që shoh si qeveriset Tuzi.
Cilët janë hapat tuaj të mëtutjeshëm si shoqatë?
Nuk do i zbuloj krejtë, por jemi në përgaditje të nisemi për vendlindje.