Voto Shqip – Koha është tani të jemi bashkë nji zâ!

Votuesi shqiptar në këto Zgjedhje ka vetëm dy zgjidhje, njërën nga dy listat shqiptare.
Partitë sllave dhe ato që vet-deklarohen si qytetare nuk mund të përfaqësoje as të mbrojnë interesat e votuesve shqiptar, nuk i kanë në agjendë por as në fund të mendjes.

Edhe përkunden shumë mangësive e dobësive që liderët tonë politik mund t’i kenë, interesat tona kolektive mund t’i mbrojmë vetëm përmes subjekteve tona.

Asnjë premtim nga partitë e huaja nuk është realizuar pa u zvarritë me dekada. Asnjë premtim nuk është realizuar pa këmbënguljen tonë dhe ndikimin nga jashtë. Këto arsye sigurisht se nuk bindin dhe nuk vlejnë për ata votues të cilët për interesa të vogla e afatshkurta, janë të gatshëm të zhvlerësojnë votën e vet.

Në anën tjetër liderët tonë partiak duhet t’a dinë realitetin se jemi elektorat shumë i vogël që në zgjedhje të dalin të ndarë në lista, sidomos jo për zgjedhje republikane. Këtë fakt ngadalë kanë nisë t’a pranojnë edhe liderët tonë politik.

Duhet të kenë mësuar diçka nga zgjedhjet e fundit parlamentare ku garuan tre lista. Një listë fitoi një mandat me 4854 vota, ndërsa dy listat tjera në kombinim morën 4936 por nuk fituan asnjë mandat.
Ndoshta do të mësojnë diçka edhe nga këto zgjedhje.

Edhe pse nuk u arrit ajo që u kërkua, formimi i një liste të vetme, gjithsesi u bë një hap para, ku në vend të tre apo katër lista, u formuan dy.
Dy lista që kanë shumë ngjashmëri dhe shumë pak dallime. Andaj, votuesi shqiptar nuk gabon nëse voton cilëndo nga dy listat shqiptare. Gabon vetëm nëse voton partitë jo-shqiptare.

Dhe sa për fund, dy listat shqiptare nuk forcohen duke dobësuar njëra-tjetrën, por duke i kthyer votuesit shqiptar që votojnë partitë jo-shqiptare, e që fatkeqësisht nuk janë numër i vogël.

Robert Gj. Ivezaj
MALESIA.ORG