Dy listat shqiptare në Malësi fitojnë rreth 3700 vota – Nuk ka rritje të elektoratit

Sipas rezultateve të parakohshme të Zgjedhjeve Parlamentare që u mbajtën dje në Mal të Zi, dy listat shqiptare në kombinim në Komunën e Tuzit fituan rreth 3700 vota . Lista Shqiptare “Koha është tani” rreth 3300 vota dhe Lista tjetër shqiptare “Bashkë nji za” rreth 400 vota.

Krahasuar me Zgjedhjet Lokale që u mbajtën vitin e kaluar në Komunën e Tuzit, partitë shqiptare kanë arritur të ruajnë numrin e përkrahjes në vota, por jo edhe t’a rrisin atë. Në zgjedhjet lokale të 2019-ës blloku shqiptar kishte fituar rreth 3690 vota.

Realisht, pas bashkimit dhe fitores të bllokut shqiptar në zgjedhjet lokale në Komunën e Tuzit, dhe një funksionimi mjaft të mirë duke konsideruar kohëzgjatjen dhe rrethanat, ishte e pritshme rritja e elektoratit ndaj partive shqiptare.

Rikujtojmë se në zgjedhjet e djeshme Parlamentare, Lista Shqiptare “Koha është tani” (Forca-ASH-LDSH-Perspektiva-Unioni Tuz) ka fituar rreth 1,4% të votave – 1 mandat, ndërsa lista tjetër shqiptare “Bashkë nji za” (PD-UDSH-LDnëMZ) rreth 1,1% të votave – 1 mandat. Kjo e fundit sipas sondazheve disa ditë para zgjedhjeve, parashikohej se nuk do të kalonte as pragun zgjedhor prej 0,7%.  /MALESIA.ORG/