Qeveria e ardhshme nga forcat proserbe dhe ulqinaku Dritan Abazoviq

Sot u mbajt një takim i liderëve të tre koalicioneve opozitarë, Zdravko Krivokapic, Aleksa Becic dhe Dritan Abazoviq, që sipas gjitha gjasave do të formojnë Qeverinë e re në Mal të Zi, duke larguar Milo Djukanovic-in në opozitë pas 30 vjetëve.

Koalicioni serb “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” me 27 mandate të fituara dhe koalicioni “Paqja është kombi ynë” me 10 mandate të fituara, për formimin e shumicës ju duhen edhe 4 mandatet e fituara nga koalicioni “E zezë dhe e bardhë” në krye me Dritan Abazoviq.

Nga kjo i bije se çelësat për formimin e Qeverisë janë në dorën e Abazoviqit.

Sipas tre liderëve, ata në takimin e sotëm ranë dakord për parimet mbi të cilat do të bazohet qeveria e ardhshme.

Parimi i parë që është rënë dakord është që qeveria e re, demokratike do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare.

Së dyti, që qeveria e re demokratike do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme në mënyrë që Mali i Zi të bashkohet me Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Së treti, që qeveria e re, demokratike do të jetë nga ekspert, te përbërë nga personel që janë ekspertë në fusha specifike, pavarësisht nga karakteristikat e tyre politike, fetare, kombëtare ose ndonjë karakteristikë tjetër.
Së katërti, qeveria e re do të angazhohet plotësisht në respektimin e Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit, me ndryshime në të gjitha ligjet dhe aktet nënligjore diskriminuese, përfshirë Ligjin për Lirinë e Fesë.
Ata thanë se, përveç kësaj, u shtrijnë duart përfaqësuesve të popujve pakicë me dëshirën për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të bukur dhe të prosperuar të Malit të Zi.

Koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” që është edhe subjekti më i madh nga tre subjektet opozitare, ka një orientim të politikës lindore, kah Serbia dhe Rusia, të fushatës anti-NATO por edhe kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës. /MALESIA.ORG/