Malesia.org, 20 vite me ju!

Në mungesë të mediumeve shqipe të pavarura, të pa ndikuara nga jashtë, në kohë ku edhe mendimi shqip censurohej e jo fjala e shkruar, kur bëhej norma autocensura, duke e arsyetuar me frikën, që mos të bëj dikush gisht dhe kur pushteti bënte reperkusion edhe për një fjalë, dhe i shuante ato; ku mungonte edhe fjala e pathënë, vendosem që të bëjmë një hap në këtë drejtim. E hapëm mediumin e parë elektronik Malesia.org.

Para njëzet vitesh, kur e hapëm këtë medium, kishim një qëllim; të tregojmë se e drejta për tu informuar, nuk nënkupton të drejtën e dikujt të përhap informacione dhe të pavërteta sipas dëshirës së vet, por, ishte dhe mbeti synimi ynë që, gjithkush, ka të drejtë të dëgjojnë të vërtetën. Qëllimi ynë para njëzet vitesh ishte dhe mbeti i njëjtë sikurse që është edhe sot, tërësisht i qartë; t’i hapim derën dhe të sfidojmë proceset shoqërore, politike dhe kulturore në trojet tona. Këto procese që ndodhin ndër shqiptarë, e që dita ditës përjetohen si trysni, janë si pasojë e faktit, se nuk u prijmë vetë proceseve, as shoqërore, as politike e as kulturore. Në krejt këtë vorbull, shqiptarit politik, me apo pa dëshirën e tij, i hapet shtegu i paqartësisë së asaj, në synimin e tij se ka të shkohet.

Kur para njëzet vitesh filluam me këtë medium, ishim të vetëm, por po ashtu besonim dhe ishim të bindur se me ne jeni ju, të cilët do ti bashkoheni mediumit tonë Malesia.org, me mendime, vepra dhe sugjerime, si dikur kur hapem “Malësia chat”, si pjesë të këtij mediumi, i cili për një kohë të shkurtër u bë i njohur si vendtakimi i të gjithë shqiptarëve kudo që ata ishin.

Në këtë rrugëtim të gjatë, plotësisht të pavarur dhe në bazë krejtësisht vullnetare, ndoshta edhe gabuam ndonjëherë, por askurrë të ndikuar ose me qëllim për të tjetërsuar të vërtetën.
Misioni ynë gjithmonë ishte dhe mbetet, të zbardhët e vërteta e të paraqitet realiteti, që jo çdokujt dhe çdo herë i konvenon, andaj gjatë këtij rrugëtimi krijuam edhe “armiq”, por shumë e më shumë miq.

Edhe një herë duam, të ju sigurojmë se ne do të jemi me ju, ashtu siç bëjmë tash e njëzet vjet, sepse besojmë dhe jemi të bindur se mendimi i lirë, i drejtë dhe absolutisht i pavarur nga çfarëdo lloj interesi, përpos atij kombëtar, do të jetë dhe do të vazhdojë në portalin Malesia.org, për jetë e mot!

Gëzuar 20 vjetorin!