Ambasadori Kurtezi kujton Lumturimin e Nënë Terezës

Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, z. Ridi Kurtezi kujton Lumturimin e Nënë Terezës.

Sot, bota shqiptare shënon dhe përjeton me respekt të thellë, Lumturimin e Nënë Terezës, e shpallur si e tillë, në 19 tetor 2003. Përpara se të “lumturohej”, përpara se “të shenjtërohej” si Shën Tereza e Kalkutës në vitin 2016, përpara se të merrte çmimin Nobel për Paqen, përpara se të ishte simbol i krishtërimit katolik, Gonxhe Bojaxhiu lindi si bijë popullit shqiptar, e sakrificës dhe humanizmit të tij. Me përkushtim të pashoq ndaj më të skamurve dhe të pamundurve të kësaj bote, ajo u fut në histori si shembull i vetëmohimit për hir të solidaritetit njerëzor përkundër egocentrizmit, si praktikante e besimit në jetën shpirtërore përkundër konsumerizmit, si dëshmi e gjallë e vendosjes së interesave të shoqërisë, barazisë, vëllazërisë mbi ato inviduale, si triumf i modestisë mbi sedrën e lënduar të mendjemadhësisë.

Nderimi i Ditës së Lumturisë së Nënë Terezës, na vjen jo vetëm si një tingëllim aktual në rrugën tonë drejt mirësisë dhe dritësisë më pozitive njerëzore, por edhe si një mesazh për të shmangur kompromisin me paudhësin dhe ambicien për të vënë interesat e ngushta personale mbi idealet dhe të ardhmes së popullit dhe kombit.

Ridi Kurtezi
Ambasador i Shqiperisë