Ambasadori Kurtezi viziton Gucinë, takohet me kryeparlamentarin Hasangjekaj

Ambasadori  i Shqipërisë në Mal të Zi, z.Ridi Kurtezi, vizitoi sot komunën e Gucisë, ku zhvilloi takim me faktorin politik shqiptar dhe një grup këshilltarësh, si dhe  me kryetarin e Kuvendit të Gucisë, z.Bujar Hasangjekaj.

Ambasadori Kurtezi theksoi se Shembulli i Gucisë  duhet të jetë sinjal i vigjilences së faktorit politik shqiptar në Malin e Zi.

Sipas tij vizita në Guci në këtë moment, është një nga ato aktivitete në jetën e diplomatit, që kapërcen formalitetin dhe protokollin, është e mbushur me oksigjen frymëzues dhe patriotik, ushqen optimizëm.

“Takimi me Bujar Hasangjekaj, nuk sjell vetëm hijeshi, por këtë herë ka edhe ngarkesë krenarie, sepse detyra e marrë nga ana e tij, si Kryetari i Kuvendit Komunal të Gucisë, erdhi si rezultat i pjekurisë, parimësisë dhe vendosmërisë për unitet të të gjitha forcave politike shqiptare. Qoftë ky shembull i Gucisë sinjal vigjilence për shqiptarët anembanë Malit të Zi!”, deklaroi Kurtezi.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Gucisë, z.Bujar Hasangjekaj, deklaroi se ishte një kënaqësi dhe nder për të që ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Ridi Kurtezi e nderoi me vizitën e tij.

“Ishte një vizitë vllazërore dhe domethënëse për komunën tonë.

U dakorduam për bashkëveprime të ndryshme në të mirë të komunitetit tonë. Ambasadorin e falenderova për vizitën dhe urimet, për dhuratën e cmuar, interesimin e tij dhe gatishmerinë për bashkëpunim. Aktivitetet dhe bashkëveprimet ndër institucionale në të ardhmen do jenë më intenzive dhe frytdhënse”, deklaroi Hasangjekaj.

Malesia.Org