Lajmërojmë qytetaret dhe qytetarët, si dhe mbarë opinionin,
Që pëlqimi i Qeverisë së Malit të Zi, i cili i është dhënë Kryeqytetit Podgoricës, e që ka të bëjë me shitjen e ,,Robna Kuća” në Podgoricë (shtëpia e mallrave), është vendim i paligjshëm. Është e njohur, që me Ligjin mbi organizimin territorial të Malit të Zi, i cili ka hy në fuqi me 1 shtator të vitit 2018, është formuar komuna e re, Komuna e Tuzit, e cila dikur ka përfaqësuar Komunën e Qytetit e më pas, Komunën në kuadër të Kryeqytetit – Tuz, dhe ka qenë pjesë e territorit të Kryeqytetit, Podgoricës.
Me Ligj është përcaktuar, që do të themelohej komisioni i cili do të bënte ndarjen e pronës në mes të Kryeqytetit, Podgoricës dhe Komunës së sapoformuar të Tuzit. Pasi që deri sot, nuk është kryer ndarja e pronës së përbashkët, ndërsa ,,Robna Kuća” , përfaqëson pronën e përbashkët të dy qyteteve, është e paligjshme që gjatë procesit të ndarjes së pronës, të mundësohet shitja e të njëjtës, veçanërisht pa pëlqimin e Kuvendit të Komunës së Tuzit.
Kryetari i Komunës së Tuzit, sot, ka njoftuar edhe Kryeministrin Markoviq me qëndrimin në fjalë, dhe ka kërkuar që vendimi i cekur të anulohet.
Gjithashtu, nëse nuk ndalohet çfarëdo lloj ,,zvogëlimi” i asaj që përfaqëson pronën e përbashkët, para përfundimit të ndarjes mes dy qyteteve, këto lloj vendimesh do të gjenden para gjyqit kompetent , ku me këto vendime do të njoftohet dhe bashkësia ndërkombëtare, sepse për ne këto aktvendime paraqesin veprimtari të paligjshme në dëm të Komunës së Tuzit.
Komuna e Tuzit