Kallaba: Amfillohija, një klerikalist dhe antimisionar i fesë

Në kundërshtim me parimet fetare që proklamojnë dashurinë mes besimtarëve dhe njerëzve, Amfillohija ishte një anti-misionar i fesë, i cili ka helmuar pasuesit e tij dhe ortodoksët ekstremistë në Mal të Zi dhe më gjerë me urrejtjen patologjike ndaj feve dhe kombeve të tjera.

Ismet Kallaba

Javën e kaluar vdiq në moshën 82-vjeçare Amfillohije Radoviq (emri i lindjes Risto Radoviq), Mitropolit i Mitropolisë Malazeze-Bregdetare të Kishës Ortodokse Serbe. Për disa ditë, vdekja e tij dhe ceremonia e varrimit ishin me të drejtë ngjarja kryesore në Mal të Zi dhe në media për shkak të famës dhe autoritetit që gëzonte në popull, kuptohet te shumica ortodokse, por edhe për shkak të ndikimit të tij në jetën politiko-shoqërore të vendit. Së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike të Socialistëve dhe Presidentin aktual të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, konsiderohen dy personalitetet më të mëdha të 30 viteve të fundit në Mal të Zi. Kjo gjë u dëshmua edhe nga pjesëmarrja masive e besimtarëve ortodoksë, udhëheqësve serbë të rajonit, figurave të shquara etj. në ceremoninë e varrimit të tij, përkundër masave kufizuese për shkak të pandemisë së COVID-19.

Amfillohije u bë i njohur për opinionin, jashtë Kishës Ortodokse Serbe, gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, për bekimin e kryqëzatave serbe në luftërat ndëretnike dhe vëllavrasëse në ish-Jugosllavi, që prodhuan krime dhe masakra të shumta. Për shkak të këtyre lidhjeve me kriminelët e luftës, ai shpesh është quajtur “luftëtar me mantel”. Ai ishte pjellë e një politike hegjemoniste serbe të përçudnuar, që rrënjët i ka te Kisha Ortodokse Serbe dhe Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve.

Me t’u vendosur në krye të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi, Amfillohija filloi fushatën për ripërtëritjen e jetës fetare dhe kishtare. Kjo rezultoi me sukses të plotë, para së gjithash, falë traditës dhe rolit që ka feja dhe kisha në jetën e popullit ortodoks në Malin e Zi, por edhe rrethanave të tjera favorizuese të kohës. Krahas kësaj, ai do të zhvillojë edhe një fushatë tjetër, të hapur dhe me qëllime djallëzore, për përvetësimin e trashëgimisë fetare, historike dhe kulturore të feve dhe popujve të tjerë. Janë të njohura rastet me kishat në Ostros dhe ishujt në liqenin e Shkodrës, Kalanë e Ulqinit, Shas, Martinaj të Gucisë etj. në trevat ku sot jetojnë shqiptarët në Malin e Zi. Por edhe përvetësimi i majave të shenjta, si maja e Rumisë, duke i shpallur ato si trashëgimi vetëm e Kishës Ortodokse Serbe.

Përreth 30 vite ai e ka udhëhequr me dorë të hekurt Kishën Ortodokse Serbe në Malin e Zi duke krijuar një institucion me reputacionin më të lartë në Mal të Zi dhe duke u bërë kësisoj shpejt një faktor i rëndësishëm dhe de facto, një shtet brenda shtetit të Malit të Zi. Kjo jo vetëm falë privilegjeve të trashëguara, por edhe favorizimeve nga institucionet shtetërore që i kanë toleruar veprimet joligjore të saj duke iu shmangur konfrontimit të drejtpërdrejtë. Amfillohija ka dalë hapur kundër pavarësisë dhe shtetësisë së Malit të Zi, si dhe nuk e njeh kombin malazez. Amfillohije në krye të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi ka penguar krijimin e Kishës Autoqefale Malazeze, e cila vijon të jetë një organizatë fetare jokanonike me mbështetje minore nga besimtarët.

Edhe pse shtet shekullar, ku feja është e ndarë nga shteti, Kisha Ortodokse Serbe në Malin e Zi ka qenë një aktor i rëndësishëm i pothuajse të gjitha ngjarjeve politike-shoqërore në vend, kurse Amfillohija protagonisti kryesor i tyre. Veprimet e tij politike militante dhe konservatore, duke i mallkuar hapur të gjithë jo bashkëmendimtarët e tij, kanë nxitur kontradikta të shumta për shkak të promovimit të hapur të klerikalizmit, nacional-shovinizmit serb dhe mohimit të atributeve të shtetësisë së Malit të Zi.

Ai u konfrontua hapur me pushtetin e Malit të Zi për shkak të miratimit të Ligjit mbi liritë fetare. Protestat e organizuara nga Kisha Ortodokse Serbe, në formën e liturgjive, pothuajse në të gjitha qytetet e Malit të Zi, kundër miratimit të Ligjit mbi liritë fetare kishin ndikim të drejtpërdrejtë në rrëzimin e Qeverisë së Malit të Zi, pas 30 vitesh, në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në këto zgjedhje, vetë Amfillohija do të hiqte më në fund maskën duke mbështetur një listë të përbërë nga partitë proserbe, madje duke zgjedhur në krye të saj një person të afërt të tij, si dhe duke votuar për të parën herë. Ai ka luajtur rol kyç edhe në krijimin e shumicës së re parlamentare që pritet të krijojë qeverinë e re të Malit të Zi.

Në kundërshtim me parimet fetare që proklamojnë dashurinë mes besimtarëve dhe njerëzve, Amfillohija ishte një anti-misionar i fesë, i cili ka helmuar pasuesit e tij dhe ortodoksët ekstremistë në Mal të Zi dhe më gjerë me urrejtjen patologjike ndaj feve dhe kombeve të tjera. Si i tillë, ai ishte i adhuruar nga ithtarët e tij, por i urryer nga të tjerët.

Për shqiptarët Amfillohija do të kujtohet si një antishqiptar i përbetuar, ithtar i ideologjisë dhe politikës ksenofobe serbe kundër shqiptarëve. Me vdekjen e tij asgjë nuk do të ndryshojë në qëndrimin e Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi ndaj shqiptarëve, sepse kushdo që do ta pasojë dhe do të vijë në krye të Mitropolisë Bregdetare-Malazeze, do të ndjekë politikën e Amfillohijes. Filizat e rinj, të helmuar nga Amfillohija, nuk ka dyshim se do të ndjekin filozofinë dhe politikën e tij.