Gjeloshaj: Vendimi për pjesëmarrje në Qeveri do të sillet gjatë fundjavës

Mbledhja e kryesisë , në të cilën do të vendoset për pjesëmarrjen eventuale në Qeverinë e re të koalicionit shqiptarë “Genc Nimanbegu – Nik Gjeloshaj”, do të mbahet gjatë fundjavës ose të hënën e ardhshme, ka deklaruar për gazetën “Pobjeda” njëri nga liderët e këtij koalicioni, Nik gjeloshaj.

Në pyetjen që të komentojë paralajmërimin e mandatorit lidhur me riorganizimin e Qeverisë dhe nëse një paralajmërim të tillë e shohin si qëllim që të krijohen vende në Qeveri edhe për pakicat, Gjeloshaj ka theksuar se mandatori duhet të sqarojë për se e ka fjalën .

“Nuk kamë ndonjë koment. Mandatori të sqarojë për se e ka fjalën. Unë nuk jam në rrjedhën e ngjarjes”, ka theksuar Gjeloshaj.

Në pyetjen se çfarë pozite pret në pushtetin ekzekutiv, nëse koalicioni vendos të pranojë pjesëmarrjen në Qeveri, postin e ministrit ose të ndonjë drejtori, Gjeloshaj ka theksuar se kjo nuk është çështja më e rëndësishme për koalicionin shqiptarë.

Të përkujtojmë këtu se mandatori Krivokapiq në propozimin për përbërjen e Qeverisë së re nuk ka paraparë ndonjë vend për pakicat gjë që Genci Nimanbegu më parë për gazetën Pobjeda e ka komentuar si “rrugë drejtë polarizimit të mëtejmë të shoqërisë”.