Shqipëria siguron 500 mijë vaksina, një pjesë ia ndan Kosovës

Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Shqipëria ka siguruar 500,000 doza të vaksinës anti-COVID-19, nga kompania farmaceutike amerikane Pfizer.

Në një video-adresim, të premten në mëngjes, Rama tha se marrëveshja është zyrtarizuar dhe se sasia e vaksinave do të paguhet menjëherë.

Dozat e para, gjithsej 10,750, do të mbrrijnë në Shqipëri “në fillim të javës së tretë të janarit”, tha Rama, ndërsa dozat e tjera “gjatë muajit shkurt”.

“Kjo është nisja më e mirë e mundshme e këtij viti vendimtar të zmbrapsjes përfundimtare të këtij armiku të padukshëm”, tha kryeministri shqiptar.

Rama po ashtu bëri të ditur se një sasi e vaksinave do t’i jepet Kosovës, për të vaksinuar punonjësit shëndetësorë.

Teksa kritikoi Bashkimin Evropian që, sipas tij, ka lënë anash vendet e Ballkanit Perëndimor, sa i përket furnizimit me vaksina, Rama tha se Shqipëria “nuk do t’ia kthejë shpinën Kosovës”.

“Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës, në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tanë”, tha Rama.

Ai tha se u ka kërkuar zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri të kontaktojnë homologët në Kosovë.