Një udhëheqës vendi i kërkon një zyrtari lokal zgjedhor të ndryshojë rezultatin përfundimtar të votave, që kontribuoi në humbjen e tij në zgjedhje. Këshilltarët më të afërt të udhëheqësit përhapin thashetheme të pabazuara për mashtrime në zgjedhje. Anëtarët e partisë së vetë udhëheqësit sfidojnë rezultatin përfundimtar me argumente të çuditshme. Mbështetësit më radikalë të udhëheqësit zotohen se do të bashkohen në kryeqytetin e vendit, duke nxitur shqetësime për dhunë në rrugë.
A është ky një regjim autoritar post-komunist në ish-Bashkimin Sovjetik? Një diktaturë njëpartiake në Azinë Lindore? Një banana-republikë e Amerikës Latine?
Jo, këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2021.
Ligjvënësit e porsazgjedhur të SHBA-së do të mblidhen më 6 janar në një seancë – që normalisht është një ritual i zakonshëm, i përcaktuar nga Kushtetuta amerikane dhe një ligj 134-vjeçar – ku bëhet miratimi përfundimtar i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale.
Por, ceremonia rrezikon të shndërrohet në diçka tjetër. Duke u thirrur në pretendime të pabazuara për mashtrime, shumë ligjvënës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe disa senatorë kanë thënë se do t’i sfidojnë rezultatet e certifikuara, të cilat e kanë nxjerrë fitues demokratin Joe Biden, përballë republikanit Donald Trump.
Sipas një audio-incizimi që ka rrjedhur në media në fundjavë, Trump i ka telefonuar zyrtarit kryesor të zgjedhjeve në shtetin e Xhorxhias, për t’i bërë presion “për të gjetur” më shumë vota dhe për ta zmbrapsur fitoren e Bidenit.
“Është vërtet e jashtëzakonshme. Ne kurrë nuk kemi parë diçka si përpjekja e këtij presidenti, për t’i mohuar rezultatet e zgjedhjeve”, thotë Brian Kalt, profesor i së drejtës në Kolegjin e Drejtësisë të Universitetit Shtetëror të Miçigenit.
“Është befasuese dhe larg themeleve bazike të zgjedhjeve demokratike”, thotë Kalt për Radion Evropa e Lirë.
Keith Whitington, profesor i politikës dhe teorisë kushtetuese në Universitetin Princeton, i bën jehonë këtij vlerësimi.
“Lajmi i mirë është se jo të gjithë po veprojnë në këtë mënyrë. Lajmi i keq është se ka ende shumë njerëz që veprojnë në këtë mënyrë”, thotë Whitington për Radion Evropa e Lirë.
“Ata nuk do ta marrin këtë Shtëpi të Bardhë”, ka thënë Trump për Bidenin dhe demokratët e tij. “Do të luftojmë fort”, është zotuar ai gjatë një fjalimi në shtetin e Xhorxhias.
Kjo do ta bëjë politikën e jashtme amerikane më të vështirë jashtë vendit, ku promovimi i demokracisë është themel i saj.
“Do të ketë një efekt të tmerrshëm në reputacionin e amerikanëve në botë”, thotë Whitington për Radion Evropa e Lirë.
“Do ta kemi shumë të vështirë të rikthejmë një pjesë të kredibilitetit që kemi pasur”, shton ai.
Sipas tij, kjo “e bën shumë të vështirë për të pasur një pozicion udhëheqës në bisedat për zgjedhjet në vende si Rusia, por edhe në shtetet demokratike si Gjermania”.
Mund ta dëmtojnë besueshmërinë edhe te vendet e tjera evropiane, që “mund të mendojnë se po bëjnë punë më të mirë se ne” dhe se “nuk kanë nevojë t’i dëgjojnë këshillat e Amerikës për këto çështje”, thotë Whitington.
“Është vështirë të këmbëngulësh që vendet të marrin masa që ti vetë nuk i ndërmerr”, thekson ai.
Për admiruesit e demokracisë amerikane, tranzicioni paqësor i pushtetit – nga një administratë në tjetrën, pavarësisht nga përkatësia partiake, pavarësisht nga koha e paqes ose koha e luftës – është një shenjë dalluese e sistemit amerikan.
Por, edhe kjo është vënë në pikëpyetje, jo vetëm me refuzimin e Trumpit për të njohur vlerësimin e Kolegjit Zgjedhor, por edhe me frikën se ai mund t’i përdorë kompetencat e tij kushtetuese si komandant i përgjithshëm i SHBA-së, për të urdhëruar ushtrinë që të ndërhyjë.