Sot bëhen 105 vjet që nga vrasja e pabesë e Isa Boletinit.
I lindur më 15 janar 1864 në kullën e Boletinëve, afër Mitrovicës, patrioti shqiptar Isa Boletini, ishte vrarë pabesisht nga malazezët në Podgoricë më 23 janar 1916, së bashku me bijtë e tij Halilin dhe Zahidin, dy nipërit dhe tre luftëtarë të tjerë.
Isa Boletini, vitet e rinisë i kaloi në vendlindje. Në prill të vitit 1881, si 17-vjeçar, ai mori pjesë në betejën e Shlivovës, ku u ndeshën trupat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me ushtrinë osmane.
Edhe pse në vitin 1908 ishte në krahun e xhonturqve, kjo lidhje u prish shumë shpejt, shkruan Top Channel.
Në nëntor të vitit 1908, Porta e Lartë dërgoi një ushtri prej 7 mijë ushtarësh për të nënshtruar Kosovën. Komandën antiosmane e kishte në dorë Isa Boletini. Gjatë tërheqjes, osmanët i dogjën kullën në shenjë hakmarrjeje. Më pastaj, Isa Boletini udhëhoqi kryengritjet e kosovarëve në Prishtinë, Prizren e gjetiu.
Ai ishte një ndër udhëheqësit kryesorë të kryengritjes së pranverës së vitit 1910.
Isa Boletini ishte bërë i njohur edhe për atë që i kishte ndodhur në Londër, kur edhe pas kontrollit që i kishin bërë rojat kur hyri për të takuar ministrin e jashtëm, Eduard Gre j, ai ia kishte dalë që njërin revolver ta fuste brenda. Greji kishte bërë shaka me Boletinin duke i thënë se “atë që se bëri ushtria osmane, e bëra unë”.
Në korrik të vitit 2011, mbetjet mortore të Isa Boletinit dhe të bashkëluftëtarëve të tij, iu dorëzuan Komunës së Mitrovicës. Ato ia dorëzoi imami i kësaj komune, Mulla Asllan Murati, i cili 13 vjet pas rivarrimit nga Podgorica i ruajti në një vend të fshehur.